Shkodër, pranga inspektorëve të Bashkisë për korrupsion

AKTUALITET


Dy inspektorë të Bashkisë Shkodër janë arrestuar nga policia, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim, pasi kundrejt ryshfetit kanë favorizuar pronarin e një hoteli në zonën e plazhit në Velipojë. Po ashtu, policia tha se ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe pronarin e hotelit. Goditja e këtyre personave vjen pas apelit të kryeministrit për marrjen e masave në luftën kundër informalitetit, ndërsa vetë Rama mëngjesin e së martës njoftoi për bllokimin e një hoteli.

Policia e Shkodrës deklaroi se gjatë operacionit “Akomoduesi”, i kryer në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, u bë ndalimi i B. P., 32 vjeç dhe I. M., 63 vjeç, të dy punonjës në Bashkisë Shkodër. Po ashtu është shpallur në kërkim shtetasi D. H., 32 vjeç, edhe ky punonjës i Bashkisë Shkodër.


Këta tre persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një hotel në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit, duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e hotelit, shtetasin  P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për katër vepra penale; “Shpërdorim detyre“, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Fshehja e të ardhurave”.




Skip to toolbar