Reforma Zgjedhore, Celibashi te ‘Ligjet’: Edhe nëse s’do të ketë sukses në 2025, rëndësi ka që…

Më të fundit


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka raportuar te Komisioni i Ligjeve punën e 2023, të institucionit që drejtor.

Pas raportimit, Celibashi u është përgjigjur dhe pyetjeve të deputetëve, ku një prej tyre, ligjvënësja Dhuata Çupi e pyet nëse vendi unë ka nevojë për një reformë të thellë zgjedhore.

Celibashi u shpreh duke thënë se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë elektorale, por shtoi se problemi është se në vendin tonë reformat nisin afër periudhës së zgjedhjeve.

Ai tha se te mbledhja e Grupit të Dialogut ku ka qenë i pranishëm ka hedhur idenë se edhe nëse reforma nuk do të ketë sukses në zgjedhjet e 2025-ës, procesi i diskutimeve duhet të vijojë në mënyrë që të aplikohet në zgjedhje të tjera.

Një tjetër problematikë të cilën kreu i KQZ ngriti në Komision të Ligjeve ishte çështja e referendumeve, për të cilën tha se nuk ka rregullim të përshtatshëm të kuadrit ligjor.

Pyetje: A ka nevojë Shqipëria për një reformë të thellë zgjedhore?

CelibashiPo, ka nevojë. Problemi këtu është se ne reformat elektorale i bëjmë shumë afër periudhës zgjedhore dhe as në këtë rast nuk shpëtuam nga kjo histori. Në kuadër të diskutimeve që po bëhen aktualisht nga Grupi i Dialogut për të adresuar disa çështje në kuadër të përmirësimeve ligjore për zgjedhjet e 2025, dhashë idenë se nëse nuk do të ketë sukses, nuk duhet të ketë arsye pse të mos vazhdojë procesi i diskutimit për çfarë do të duhet të ndryshojmë në ligjin zgjedhor.

Unë e kuptoj se interesi është të adresojmë çështjet për zgjedhjet e 2025, por pas 2025 do të ketë prapë zgjedhje dhe pse jo të diskutojmë për të gjitha çështjet dhe problematikat që lidhen me zgjedhjet në Shqipëri.

E kuptoj që mund të shkaktojë një lloj hilariteti kjo ide, por nuk është pa sens, por shumë e arsyetuar. Shumë vende e aplikojnë këtë ide, ku miratohet ligji zgjedhor dhe hyn në fuqi pas zgjedhjeve të radhës.

Do të ishte e udhës që kjo strukturë të krijohej për të punuar dhe për të bërë një reformë të vërtetë zgjedhore.

Kryesore është çështja e referendumeve, duhet të ketë një rregullim të përshtatshëm ligjor gjë që sot nuk ekziston.

Nëse gjithë diskutimin për zgjedhjet në Shqipëri, nuk e bëjmë vetëm për zgjedhjet e radhës, mendoj se mund të kemi një produkt të mirë.



Skip to toolbar