“Zgjedhorja”, Kume: PS-PD nuk duan ndryshim sistemi

POLITIKË


Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume tha se vendi ka nevojë për ndryshim sistemi elektoral dhe lista të hapura të deputeteve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të dilet nga kriza dhe të këtë një demokraci përfaqësuese në vend. Për Kumen, edhe pse nuk thonë hapur, PD dhe PS nuk e dëshirojnë, pasi me sistemin aktual përfitojnë në kurriz të partive të vogla. “Vetëm me një ndryshim sistemi do të largojë krizën në vend, që në fakt është krizës e demokracisë dhe jo e zgjedhjeve. Vendi do të përfitojë kur pushteti t’u kthehet qytetarëve” u shpreh Kume për News 24, i cili tha se duhet që të gjitha institucionet, akademikët, specialistët dhe teknicienët të bëhen bashkë për përgatitjen e një drafti për atë që duhet ndryshuar ku të implementohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

 “Të bëjmë së pari marrëveshjen e fjalës. Legjislacioni është dinamik dhe është përherë në zhvillim, dhe i kushtohet shoqërisë dhe si duhet të qeveriset ajo, sepse është gjithmonë në ndryshim. Jemi përpara situatës kur klasa politike nuk e ka zbatuar atë që ka marrë përsipër nga ajo që njihet si Karta e Stambollit. Nuk kemi pasqyruar dhe implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.  Ky sistem zgjedhor ka treguar se ka probleme. Janë dy partitë kryesore që nuk e duan ndryshimin, por nuk janë deklaruar për këtë hapur.


Ky sistem, me 12 njësi zgjedhore që janë qarqet e Shqipërisë, ju krijon kushte që të përfitojnë nga partitë e vogla dhe ndaj nuk e duan ndryshimin. Proceset zgjedhore që janë bërë deri sot ka bërë që në të devijohemi ndjeshëm nga parimi thelbësor që është demokracia përfaqësuese. Kjo është një krizë, që nuk është e votave apo e zgjedhjeve, por është një krizë e demokracisë. Të gjithë së bashku, institucionet e këtij vendi, stafet akademike, specialistë dhe teknicienë duhet të bëhemi bashkë dhe të realizojmë,  të draftojmë për atë që duhet ndryshuar. Janë këto dy partitë politike, janë aktorë që kanë prodhuar këtë situatë me ndryshimet në 2008. Unë vërej se tendenca për të konvergjuar mes tyre ka filluar të ndihet. Nëse nuk ndryshon ky sistem, ne do të vazhdojmë me këtë problem. Problemi është që deputetët i cakton  kryetari i partisë.  Duhet që listat të jenë të hapura”- tha Kume

Ndryshimin e sistemit elektoral e ka kërkuar fortë që në fillim opozita parlamentare, e cila është shprehur nga studio e “Real Story” se nuk do të miratojë një reformë me “arma apo makijazhe” që mund të lind nga një marrëveshje PD-PS, por kërkon një ndryshim rrënjësor të sistemit, ku kryetari i partisë të mos ketë autoritetin absolut të listave të deputetëve si dhe pushteti t’i kthehet në dorë qytetareve për të vetëvendosur për përfaqësimin e tyre. Po ashtu edhe aleatët e vegjël të Bashës janë shprehur pro ndryshimit të sistemit duke kërkuar përfaqësim të tyre në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore. Kjo kërkesë e tyre është paraqitur edhe në platformën me 7 pika që aleatët kanë lënë në tryezën e Bashës.




Skip to toolbar