“Zgjedhorja”, Kume: PS-PD nuk duan ndryshim sistemi

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume tha se vendi ka nevojë për ndryshim sistemi elektoral dhe lista të hapura të deputeteve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të dilet nga kriza dhe të këtë një demokraci përfaqësuese në vend. Për Kumen, edhe pse nuk thonë hapur, PD dhe PS nuk e dëshirojnë, pasi me sistemin aktual përfitojnë në kurriz të partive të vogla. “Vetëm me një ndryshim sistemi do të largojë krizën në vend, që në fakt është krizës e demokracisë dhe jo e zgjedhjeve. Vendi do të përfitojë kur pushteti t’u kthehet qytetarëve” u shpreh Kume për News 24, i cili tha se duhet që të gjitha institucionet, akademikët, specialistët dhe teknicienët të bëhen bashkë për përgatitjen e një drafti për atë që duhet ndryshuar ku të implementohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

 “Të bëjmë së pari marrëveshjen e fjalës. Legjislacioni është dinamik dhe është përherë në zhvillim, dhe i kushtohet shoqërisë dhe si duhet të qeveriset ajo, sepse është gjithmonë në ndryshim. Jemi përpara situatës kur klasa politike nuk e ka zbatuar atë që ka marrë përsipër nga ajo që njihet si Karta e Stambollit. Nuk kemi pasqyruar dhe implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.  Ky sistem zgjedhor ka treguar se ka probleme. Janë dy partitë kryesore që nuk e duan ndryshimin, por nuk janë deklaruar për këtë hapur.

Ky sistem, me 12 njësi zgjedhore që janë qarqet e Shqipërisë, ju krijon kushte që të përfitojnë nga partitë e vogla dhe ndaj nuk e duan ndryshimin. Proceset zgjedhore që janë bërë deri sot ka bërë që në të devijohemi ndjeshëm nga parimi thelbësor që është demokracia përfaqësuese. Kjo është një krizë, që nuk është e votave apo e zgjedhjeve, por është një krizë e demokracisë. Të gjithë së bashku, institucionet e këtij vendi, stafet akademike, specialistë dhe teknicienë duhet të bëhemi bashkë dhe të realizojmë,  të draftojmë për atë që duhet ndryshuar. Janë këto dy partitë politike, janë aktorë që kanë prodhuar këtë situatë me ndryshimet në 2008. Unë vërej se tendenca për të konvergjuar mes tyre ka filluar të ndihet. Nëse nuk ndryshon ky sistem, ne do të vazhdojmë me këtë problem. Problemi është që deputetët i cakton  kryetari i partisë.  Duhet që listat të jenë të hapura”- tha Kume

Ndryshimin e sistemit elektoral e ka kërkuar fortë që në fillim opozita parlamentare, e cila është shprehur nga studio e “Real Story” se nuk do të miratojë një reformë me “arma apo makijazhe” që mund të lind nga një marrëveshje PD-PS, por kërkon një ndryshim rrënjësor të sistemit, ku kryetari i partisë të mos ketë autoritetin absolut të listave të deputetëve si dhe pushteti t’i kthehet në dorë qytetareve për të vetëvendosur për përfaqësimin e tyre. Po ashtu edhe aleatët e vegjël të Bashës janë shprehur pro ndryshimit të sistemit duke kërkuar përfaqësim të tyre në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore. Kjo kërkesë e tyre është paraqitur edhe në platformën me 7 pika që aleatët kanë lënë në tryezën e Bashës.

Klosi: Akuzat e Berishës janë sajesa, në ’97 u kërcënua Kristaq Kume

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi ka folur për sulmet reale që janë bërë ndaj kryetarit të KQZ në 1997 Kristaq Kume. Klosi tha se në atë periudhë, ndaj Kumes janë bërë dy atentate për ta përplasur me makina të mëdha. “Sigurisht që qëllimi nuk ishte ta vrisnin, por ta frikësonin” – tha Klosi, i cili në atë periudhë ka qenë ish-nënkryetari i KQZ. Këto atentate tha Klosi, bën që Kume të kërkoj pasaporta diplomatike për familjarët e tij për shkak se ndihej i kërcënuar me jetë. Klosi madje shtoi se e dinte shumë mirë se nga vinin këto kërcënime.

Dy herë i kanë bërë atentat Kristaq Kumes, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 1997-s, e kanë përplasur dy herë me makinë. Më pas Kristaqi u detyrua të kërkojë pasaportë diplomatike për fëmijët dhe familjen. Unë në atë kohë kam qenë nënkryetar i KQZ-së dhe e di shumë mirë këtë punë se nga i vinin kërcënimet. Kam shkuar unë te Bashkim Fino, ku i kemi kërkuar pasaportë diplomatike për familjen e Kumes. U aksidentua dy herë, me fuoristrada të mëdha, goditën makinën e kryetarit të KQZ-së me makina të rënda. I prisnin rrugën natën, kur ai shkonte për në shtëpi. Kuptohet se nuk ishte qëllimi për ta vrarë, por për ta trembur, sepse ishte ideja se Kristaqi nuk ishte shumë konsekuent në luftën që po bënte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por Kristaqi nuk kishte se çfarë të bënte, zbatonte ligjin, por ne kishim shumicën dhe ai nuk ndikonte dot në vendimmarrje.” –  tha Klosi në një intervistë për Panoramën.

Akuzat e ish-kryeministri Berisha se ai kishte urdhëruar  të sulmonin banesën e tij me bombë, Klosi i quajti sajesa absurde. Ish kreu i SHISH tha se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë dhe se nuk mban mend që Berisha të jetë kërcënuar ndonjëherë, përveç një rasti gjatë fushatës zgjedhore në Sukth të Durrësit. Klosi tha se kjo ka ndodhur gjatë fushatës zgjedhore të 1996, dhe është një rast publik që dihet nga të gjithë.

Të gjithë e dinë se gjatë fushatës elektorale të 1996-s, kur Berisha ishte President, në kohën që ai ishte duke folur në një miting elektoral në një fshat të Sukthit, dikush që ishte prezent iu afrua dhe hodhi një bombë, e cila nuk shpërtheu. U bë një gjurulldi e vogël, personin e kapën. Këtë rast mbaj mend t’i ketë ndodhur Berishës, jo ndonjë rast tjetër.”- tha Klosi, i cili shtoi se çdo kërcënim tjetër që Berisha nxjerr nga goja i ka sajesa të çmendura që nuk meritojnë as përgjigje.

Ky njeri nuk heq dorë nga çmenduritë e tij. Nuk meriton asnjë përgjigje, janë absurde këto që nxjerr nga goja. Kjo që thotë ai, se unë kam vënë një njeri që t’i hidhnin atij bombë, më bën vetëm të qesh me çmendurinë e tij. Nuk hoqi dorë nga këto sajesa. Unë kisha detyrë të mbroja Berishën gjatë kohës që kam qenë në krye të SHISH-it dhe pse ai ishte kryetar i opozitës. Pastaj, Berisha kishte roje të panumërta dhe s’bënte vaki të ndodhte një sulm i tillë. Nuk i afroheshe dot Berishës si President.” – tha Klosi

Klosi foli edhe për masën e marrë ndaj kreu të KQZ, Klement Zgurit duke e cilësuar atë si të nevojshme, pasi ka njerëz të çekuilibruar që kërkojnë të bëjnë protagonistin duke përmendur edhe rastin e Fatos Lubonjës. “Fatosi për mua duhet të kërkojë ndihmë në Polici, sepse Fatos Lubonja është dikush, është person publik dhe nëse kërkon mbrojtje, Policia duhet t’ia japë mbrojtjen.”

Ish kreu i KQZ: Akti i Metës i papritur, por kurajoz

“Një akt i papritur por kurajoz” e ka cilësuar vendimin e presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume. Në një intervistë për News 24, Kume tha se mundësia e vetme për ankimin e dekretit të presidentit është Gjykata Kushtetuese, që nuk është funksionale ndaj ky vendim mbetet të zbatohet.

Në vlerësimin tim është i mirëpritur vendimi i Presidentit, përballë situatës me të cilën po ndeshet shoqëria në përgjithësi. Presidenti i është referuar të drejtës së tij për datën e zgjedhjeve, e më shumë se kaq është referuar, se janë arsye të tjera që kushtëzohen nga situata e krijuar në vendin tonë, si pasojë e keqqeverisjes nga forcat tona politike në përgjithësi. Është shumë e rëndësishme që kështu të pranohet ky veprim kurajoz i Presidentit, për hir të një date të thjeshtë për zgjedhje të radhës. Pasi presidenti i republikës të dekretojë shtyrjen e zgjedhjeve dhe besoj se këtë akt do ta firmosë ditën e hënë bashkë me arsyetimin juridik. Ky dekret ka vetëm një mundësi për t’u atakuar dhe ky është në Gjykatën Kushtetuese. Në kushtet kur nuk është Gjykata Kushtetuese, mbetet që ky dekret të zbatohet.” – tha Kume

Kume tha gjithashtu se pas këtij vendimi pret që presidenti të ketë takime me forcat politike për të ridekretuar një datë të re zgjedhjesh.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?
Skip to toolbar