RENEA largohet nga Kurbini pas 5 orësh: Përfundon kontrolli në shtëpinë e Ervis Martinajt 

AKTUALITET


Ka përfunduar kontrolli i FNSH dhe RENEA-s në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Pas pesë orësh, FNSH dhe RENEA janë larguar nga zona e Fushë Kuqes në Kurbin, aty ku ndodhet edhe banesa e 40-vjeçarit. Ende nuk dihet nëse është gjetur ndonjë send me vlerë që mund t’i shërbeje hetimeve për zhdukjen e tij.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet duke thënë se janë në rrugë të mbarë.


Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Dumani ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka dëshmuar se Martinaj ka qenë i gatshëm të paguante 500 mijë euro për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Nga hetimet që po kryhen për zhdukjen e Martinajt është lënë në burg një efektiv policie Jeton Lami, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe nga Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.

Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.




Skip to toolbar