Shkon në 24 numri i personave që humbin jetën nga tërmeti i së martës në mëngjes. Në orët e mbrëmjes u bë nxjerrja nga rrënojat e një nga dy vëllezërve kosovarë që humbën jetën në këtë tërmet. Ndërkohë, u konfirmua dhe vdekja e një të riu në Thumanë, i cili në fakt dukej në gjendje të mirë gjatë ditës.
Mbrëmjen e të martës u shpëtua dhe një tjetër person i mbetur në rrënoja. Ajo është një 30-vjeçare, e cila kishte mbetur në rrënojate një pallati 6-katësh pranë shkollës së “Mjeshtërisë”. Shpëtimi i 30-vjeçares u bë i mundur nga forcat speciale RENEA e cila është dërguar më herët në spital për ndihmë mjekësore. Më herët Renea nxorri edhe vajzen e saj të mitur 8-vjeçare e cila kishte humbur jetën. Megjithatë, 30-vjeçarja nuk ka mundur t`i mbijetojë plagëve pasi ka humbur jetën në spital.
Më herët, gjithashtu një 35-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e hotel “Mira Mare” në Durrës. Shtetasi Adriatik Boti nga Dibra është një nga personat me fat që arritën të mbijetonin nën rrënojat e banesave nga lëkundjet e forta të tërmetit me magnitudë 6.3 Rihter.
Nga rrënojat e hotel “Mira Mare” janë nxjerrë deri më tani dy trupa të pajetë, ndërsa i tretë, 35-vjeçari, fatmirësisht është nxjerrë i gjallë.
Dëmet më të mëdha të tërmetit janë shkaktuar në Durrës dhe Thumanë, ku disa banesa dhe objekte u shembën duke bllokuar nën rrënojat e tyre njerëz që ndodheshin aty. 44 persona raportohet se janë shpëtuar nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë, ndërsa të paktën 24 të tjerë konfirmohen të vdekur, ndërsa mbi 650 janë të plagosur. Ndërkohë operacioni për shpëtimin e personave të mbetur në rrënoja do të vijojë edhe gjatë natës.