Mero Baze: Republika “Meta-Berisha”, kundër Perëndimit

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Presidenti u ngrit herët në mëngjes për ta na treguar se Republika e tij rrezikohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian, dhe se ai është simbol i rezistencës ndaj tyre. Mendoj se ishte i sinqertë, edhe pse këtë mund ta thoshte qysh dje në drekë. Nuk besoj se do shumë kohë për ta menduar, vetëm nëse ka dashur të shmangë emocionet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore, realisht janë angazhuar në një betejë kundër Republikës paralele të Ilir Metës dhe Sali Berishës në Shqipëri.

Ato nuk kanë pranuar shkëputjen e tyre nga Parlamenti sovran i Shqipërisë, ikjen nga zgjedhjet dhe përpjekjen për të krijuar një Republikë paralele me Republikën e Shqipërisë.

Mbi të gjitha, ato nuk kanë pranuar dhe as kanë denjuar ta përmendin aktin e ç’dekretimit të zgjedhjeve, që në fakt është akti i zjarrëvënies ndaj Republikës së Shqipërisë nga Republika rivale e Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Tani, pesë ditë para zgjedhjeve, është e qartë se Republika e Shqipërisë ka në krah të saj SHBA dhe BE, dhe është në luftë me Republikën e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Nuk kemi dyshime për këtë. Nuk ka as Ilir Meta dhe as Sali Berisha. Nuk ka as SHBA dhe as BE.

Problemi që kemi tani, është përse Ilir Meta do të jetë president i të dy Republikave, dhe i Republikës me të cilën ka hyrë në luftë, dhe i Republikës që ka krijuar me Sali Berishën.

Një president që nuk ka mbështetjen e shumicës që e ka zgjedhur, një president që ja ka hedhur poshtë Dekretin Kolegji Zgjedhor, duke provuar pavlefshmërinë absolute, një president që nuk ka mbështetjen e SHBA dhe BE për të qenë president i Shqipërisë, mund të sillet si pushtues i një karrigeje, por jo si president.

Një njeri që i kërkon dorëheqje kryeministrit, duke vënë në dyshim votat ndaj tij, vetë nuk ka më asnjë votë nga ato që e kanë zgjedhur president, nuk ka mbështetjen e SHBA dhe BE, është poshtëruar publikisht nga një gjykatë zgjedhjesh në Shqipëri, dhe vazhdon të sillet si pengmarrës i Presidencës.

Mbi të gjitha, Shqipëria e pas viteve ‘90, e ka të bazuar sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e saj, tek aleanca me SHBA dhe Bashkimin Europian. Një president që ngrihet herët në mëngjes, për t’i shpallur luftë SHBA dhe ambasadorëve të BE, mund të jetë president i Bjellorusisë, por jo Shqipërisë.

Ne nuk jemi kundër Republikës së tij të vetëshpallur me Sali Berishën. Shqipëria ka pasur gjithnjë, në fazat kritike të historisë së saj, një “Republikë” që ka tentuar të na pengonte në rrugën drejt Perëndimit.

Prej Haxhi Qamilit më 1914 e deri tek errësira e Berishës më 97, gjithnjë dikujt që i është rrezikuar pushteti, i ka shkuar mendja herë tek Turqia, herë tek Rusia, e herë tek Al Qaida.

Ilir Meta është i fundit i kësaj race dhe nuk është i vetmi. Por problemi është se të gjithë paraardhësit e tij që kanë tentuar këtë gjë, kanë humbur dhe nuk e kanë marrë dot me vete Shqipërinë.

Republika e Ilir Metës dhe Sali Berishës, është 1 mijë metra katrorë, sa grumbulli i molotovistëve që tentojnë të jenë Ushtria e Republikës së tyre.

Republika e Shqipërisë është 28 mijë km katror, është e qetë, e bukur dhe e qartë, edhe kur ngrihet herët për punë, jo nga pagjumësia!



Skip to toolbar