Riatdhesohen 114 shqiptarë, mes tyre të dënuar në vendet e BE

AKTUALITET


Të shtunën u riatdhesuan 114 shtetas shqiptarë, të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil nga vendet e Bashkimit Europian. Me anë të një komunikate, Policia e Shtetit njoftoi se shtetasit shqiptarë kishin thyer rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së.

Sipas njoftimit, mësohet se shumë prej këtyre personave të riatdhesuar, kishin kërkuar azil në Francë, Belgjikë dhe Gjermani. Nga Franca janë rikthyer 28 shtetas ndërsa nga Belgjika 5.

Sipas policisë, 81 shtetas të tjerë të riatdhesuar, janë persona të cilët kishin thyer rregullat e Schengen, ndërsa një pjesë e tyre janë deportuar nga Anglia, pasi kishin hyrë ilegalisht në këtë vend.

Disa nga personat e riatdhesuar janë shtetas shqiptarë që rikthehen në vendin tonë, pasi kanë përfunduar dënimin për vepra të ndryshme penale në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë  për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.



Skip to toolbar