Bavaria do të vijojë të jetë mbretëria e futbollit gjerman deri në përfundim të sezonit të ardhshëm. Mes një atmosfere të jashtëzakonshme të tifozerisë në “Allianz Arena”, Bayern Munich ka triumfuar ndaj Frankfurtit dhe ka festuar titullin e 7-të radhazi në Bundesligë dhe të 29-in në historinë e klubit.
Ka qenë një ndeshje emocionuese, jo vetëm sepse Bayernit i duhej fitorja për të konfirmuar fitoren e titullit në Bundesliga, por sepse kjo ishte ndeshja e fundit e Franck Ribéry dhe Arjen Robben, dy nga lojtarët më të rëndësishëm për Bayernin gjatë kësaj dekade, të cilët tashmë do të largohen nga klubi bavarez.
Skuadra e Niko Kovaç arriti të shënonte që në minutën e katërt me Coman. Në pjesën e dytë Haller ka barazuar në minutën e 50′, por tre minuta më vonë Alaba ka kaluar përsëri në avantazh Bayern-in. Sanches në minutën e 58′ ka trefishuar për Bayernin.
Megjithatë, stadiumi bavarez ka shpërthyer në ovacione dhe ekzaltim në minutën e 72′ dhe të 78′, kur Ribery dhe Robben kanë realizuar golin e katërt dhe të pestë para tifozëve të Bayernit. Kështu, dy lojtarët i kanë dhënë fund në mënyrën më të mirë të mundshme historisë së tyre me Bayern Munich.