Rikthehet Laçi, çmontohet Vllaznia

SPORT


Laçi më në fund është rikthyer në lojë, ku ka arritur të marrë 6 pikë në 2 ndeshjet e fundit, 6 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Dy fitore të pastra në shtëpi rifusin në garë ekipin kurbinas. Efekti Cungu po fillon të ketë ndikim, bardhezinjtë duken një ekip i transformuar, me shumë grindë, me dëshirë dhe mbi të gjitha fitues. Armando Cungu përballë Vllaznisë është një dialog i hershëm, sërish tekniku shkodran arrin të thyej ish-ekipin e tij duke bërë që diferenca mes dy klubeve të jetë vetëm 2 pikë. Laçi përkëdhel Nwabuezen, njeri i momentin, sulmuesi më në formë i Superligës, autor i 7 golave këtë edicion, golashënuesi më i mirë.

Në një ndeshje të luftuar për çdo top dhe të spostuar në mesfushë, Nwabueze ishte ai që bëri diferencën, fillimisht në minutën e 39-të duke kaluar Laçin në avantazh me një të djathtë të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë. Historia përsëritet sërish me fillimin e pjesës së dytë, këtë herë Nwabueze ishte thjeshtë fantastik. Me një aksion personal, nigeriani depërtoi deri në zonën e Vllaznisë dhe me një goditje shumë të bukur realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për Laçin.

Vllaznia ishte e pafuqishme për të reaguar, jo vetëm kaq por me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 60-të, Laçi kapi të papërgatitur mbrojtjen shkodrane, Regi Lushkja vallëzoi në zonë duke shënuar dhe golin e tretë, një gol që vulosi fatet e këtij takimi, një gol që rikthehen Laçin në garë për objektiva të rëndësishëm ndërsa Vllaznisë e vetmja gjë që i mungon për momentin është vazhdimësia.



Skip to toolbar