Partizani-Kukësi, Lerda: S’kemi presion

SPORT


Të hënën luhet ndeshja e fundit dhe më e rëndësishme e javës së 10 të Superligës mes Partizanit dhe Kukësit. Të kuqtë në mesjavë morën kreun e kampionatit dhe tashmë nuk duan ta lëshojnë më. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Franco Lerda që në konferencën për shtyp para ndeshjes ka deklaruar se luajnë pa presion ndaj Kukësit, por duhet bërë kujdes.

Përballeni me një rival direkt. Sa e vështirë është kjo ndeshje? A keni presion pasi keni kreun?


Mendoj se nuk kemi presion për Kukësin. Kush luan apo drejton te Partizani, rëndësi ka që të ruajë ekuilibrat pasi dihen objektivat e klubit. Jemi përgatitur për këtë takim, dhe mendoj se do e zhvillojmë këtë ndeshje me qetësi të plotë, siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara.

Çfarë ka ndryshuar Partizani nga ndeshja e parë ndaj Kukësit në kampionat?

Kemi ndryshuar shumë, pasi tashmë kemi më shumë minuta dhe stërvitje në këmbë. Kemi krijuar një fizionomi të qëndrueshme dhe një ide loje të përbashkët. Kemi rritje edhe në aspektin fizik të lojtarëve. Është rritur edhe njohja ime për kampionatin shqiptar. Kemi bërë një ecuri normale, siç mund të jetë në kampionat.

Thatë që e njihni më mirë Superioren. Tani, si ju duket Superiorja, dhe kush ju duket rivali kryesor për Partizanin?

Përsa i përket organikës së ekipeve, Kukësi dhe Tirana kanë organikën më të plotë, bashkë me Partizanin. Janë rivalët tanë. Por, janë edhe Teuta e Bylisi, që po bëjnë shumë mirë. Edhe Vllaznia po ecën mirë. Janë skuadrat surprizë të sezonit, dhe po bëjnë një kampionat pozitiv.

Sa i rëndësishëm është starti i fazës së dytë me 3 pikë?

Përtej fazave, e parë, e dytë apo e tretë, me rëndësi është që ne të marrim pikët në çdo takim. Kukësi është një ekip i vështirë, duke parë edhe organikën që ka në gjirin e saj. Është një ekip që ka lojtarë ekspert, dhe me kualitet në repartin e avancuar. Është një test i rëndësishëm për ne, tashmë që nis edhe faza e dytë. Mendoj se ashtu si ne, edhe Kukësi ka objektiva të qarta për këtë sezon. Po përpiqemi ta përgatisim mirë këtë ndeshje, duke parë edhe sa ditë kemi pasur në dispozicion. Do punojmë edhe sot për të vendosur lojtarët që do zbresin në fushë nesër.

Solomon, Trashi dhe Telushi me probleme. A janë gati për Kukësin nesër?

Sot do kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Do e vlerësojmë gjendjen e tyre fizike.

Ekipet janë shumë pranë në klasifikim. Sa mendoni se do vazhdojë kjo situatë, me diferenca të pakta mes skuadrave?

Për momentin nuk mund ta them diçka të tillë, nëse do ketë shkëputje apo ekipet do vazhdojnë të ngjeshura. Bylisi dhe Vllaznia po bëjnë një kampionat shumë të mirë, kanë entuziazëm dhe tashmë mbetet të shihet si do jetë ecuria e këtyre ekipeve, por edhe të tjerëve.

Melo ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë me Kukësin. A do ishte më mirë që Melo të luante sërish aty, e të mos sakrifikohej Mala?

Nuk e di se çfarë ka luajtur Melo në të kaluarën, por për mua nuk është lojtar i atij pozicioni. Melon e shoh më shumë si një xhol në repartin ofensiv. Edhe Mala nuk është i adoptuar në pozicionin e mbrojtjes, por po përshtatemi për momentin. Është një lojtar shumë i zgjuar, dhe mund të japë më shumë në pozicionet e tjera.




Skip to toolbar