Nuk ka ende kompromis, Fidel Ylli pas takimit me Ligën: Kthehuni në fushë, që të takoni kryeministrin

Ka dështuar tentativa e parë për marrëveshje mes Ligës së Futbollit dhe qeverisë. Pas akuzave në distancë, deputeti i PS, Fidel Ylli, që është mandatuar nga kryemistri Rama për të negociuar me “familjen e futbollit” iu bashkua mbledhjes së Ligës, por doli prej saj, pa mundur të bindë presidentët e Superligës që t’i japin fund bojkotit. “Gjithmonë do të ketë debate, pra do të ketë zgjidhje.

Është vullneti i kryeministrit dhe qeverisë, që ne kërkesat e Ligës t’i plotësojmë. Nuk mund të them, se do realizohen 100%, sepse janë disa gjëra teknike që duhet të flasim. Nga Liga ata duan të vazhdojnë bojkotin. Unë thash se nuk mund të negociojnë me kryeministrin nëse vazhdohet bojkoti.

Duhet të vazhdohet kampionati dhe të jeni të bindur se unë nuk jam këtu si Fidel, por si i dërguar i kryeministrit. Nisni kampionatin dhe shumë shpejt do të jemi në zyrtar e kryeministrit. Takimi për mendimin tim ishte i frytshëm, kishte debate por jo aq të forta, pasi unë jam njeri i sportit. Është ministria e financave që do japë listën financiare. Këtë bojkot e bën Liga, por vendimet që do marrim do jetë për të gjithë sportin.

Sporti do të futet në rrugën e drejtë, ne në ligjin e sportit e kemi bërë si europianët, të jetë shoqëri aksioner, nuk mund të varet nga bashkia. Kjo reformë do të përmbyllet me shtimin e buxheteve, të cilat do të dyfishohen për sportin. Qeveria ka qenë që në ditën e parë një hap para. Qeveria që në ditën e parë e gatshëm për një zgjidhje. Ata kanë të drejtë të bojkotojnë, ne do ecim shumë shpejt për të realizuar kërkesat. Por nëse fillon kampionati të luhet, atmosfera te kryeministri do të jetë më pozitive për të realizuar këto pikë, pavarësisht axhendës të ngarkuar”, u shpreh Fidel Ylli.

Rikthehet Superliga me Skënderbeu-Partizani. Sormani: Rivalë kemi Kukësin dhe Tiranën

Pas pushimeve dimërore, të martën në 21 janar rikthehet kampionati i futbollit. Partizani do të udhëtojë drejt Korçës  ku do të përballet me Skënderbeun vendas, në takimin e parë për këtë vit. Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani doli në konferencë për mediat në prag të kësaj sfide, ku deklaroi se skuadra është përgatitur mirë gjatë qëndrimit në Turqi.

“Në çdo skuadër kur ndërrohet një trajner, do të thotë se ka një problem pasi në të kundërt nuk ndërrohet trajneri. Besoj se problemi fizik nuk mund të ndahet nga ai mental. Mendja është ajo që bën të funksionojnë këmbët, në këtë formë nëse zgjidh problemin mental, zgjidh edhe atë fizik. Pastaj është e qartë se duhet të punosh. Unë e di që kërkesat e mia gjatë stërvitjeve janë të rënda, kërkoj shumë intensitet dhe pjesëmarrje të madhe nga të gjithë. Por, duhet them se skuadra ka punuar mirë. Ka punuar me dëshirë të madhe dhe duke bashkëpunuar e këto janë gjërat më të rëndësishme”, tha Sormani.

I pyetur nëse do të kishte nevojë për ndërhyrje në merkato, Sormani nuk dha detaje. Megjithatë, ai shtoi se duhet të fokusohet të punojë me grupin që ka në dispozicion. “Është detyra ime që t’iu marr maksimumin dhe ky është objektivi im, këtu do jem i fokusuar. Kush më ka njohur në aventurën time të parë te Partizani, unë asnjëherë nuk flas për individë por për grupin. Për të fituar duhet të jesh një skuadër. Edhe skuadrat e mëdha nuk arrijnë t’i zgjidhin ndeshjet me një lojtar”, u shpreh trajneri.

Duke bërë një krahasim të skuadrës së para tre viteve me atë aktuale, Sormani tha se tani ka në dispozicion një ekip me shumë potencial.  “Janë të ndryshme. Skuadra tani ka shumë potencial. Është një grup i ri, që mund të rritet dhe i ka mundësitë”. Duke folur për rivalët, Sormani u shpreh se Kukësi dhe Tirana janë kundërshtarët direkt për titullin gjatë këtij sezoni. “Kukësi është rivali ynë, ashtu sikurse Tirana. Këto mendoj se janë skuadrat që do na rivalizojnë për titull, nisur nga ajo që kanë dhënë deri tani”.

Në fund ai foli dhe për emra konkret lojtarës, si Mala, që ka pasur probleme në pjesë e parë të sezonit, apo dhe ndryshimet në pozicion të Trashit. Sormani tha se për rastin e parë është klubi ai që vendos, ndërsa për Trashin nuk do të ketë ndryshim pozicioni. “Mala është një çështje e klubit, nuk futem unë. Kur të jetë në dispozicionin tim, atëherë ndryshon situata. Komunikoj me klubin në çdo moment dhe kjo është situata. Trashi, nuk shoh arsye t’ia ndryshoj pozicionin. Është paraqitur mirë dhe s’kemi pse. Po shprehet mirë në mbrojtje dhe do luajë aty”, shtoi Sormani.

Partizani nis shkëputjen, Luftëtari zhyt veten

Partizani rikthehet në krye të Superligës, pasi mundi 2-0 Luftëtarin mbrëmjen e të dielës. Skuadra e drejtuar nga Franko Lerda, ndonëse pati vështirësi në pjesën e parë, mbylli gjithçka në të dytën duke marrë tre pikët nga përballja në “Selman Stërmasi”.

Ndeshja mund të kishte pasur histori tjetër, nëse Alban Hoxha nuk do të kishte pritur një penallti të Luftëtarit, kur rezultati ishte ende 0-0. Portieri i të kuqve u dha mundësinë të tijëve të luftonin për fitore, duke ruajtur rrjetën e paprekur.

Kështu, Çinari shënoi në të 53` duke kaluar në avantazh skuadrën e tij, ndërsa Asani dyfishoi me një gol nga pika e bardhë e penalltisë në të 56`. Partizani e sheh veten në vendin e parë me 21 pikë pas javës së 11-t të kampionatit, ndërsa lë pas Tiranën dhe Kukësin që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me 18 pikë.

Ndërkohë, humbja e të dielës, i vështirëson dhe më shumë llogaritë e Luftëtarit për Mbijetesë. Skuadra gjirokastrite mbetet në vendin e parafundit me 6 pikë, 8 më pak se Skënderbeu që ndodhet një vend sipër tyre.  

Rikthehet Laçi, çmontohet Vllaznia

Laçi më në fund është rikthyer në lojë, ku ka arritur të marrë 6 pikë në 2 ndeshjet e fundit, 6 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Dy fitore të pastra në shtëpi rifusin në garë ekipin kurbinas. Efekti Cungu po fillon të ketë ndikim, bardhezinjtë duken një ekip i transformuar, me shumë grindë, me dëshirë dhe mbi të gjitha fitues. Armando Cungu përballë Vllaznisë është një dialog i hershëm, sërish tekniku shkodran arrin të thyej ish-ekipin e tij duke bërë që diferenca mes dy klubeve të jetë vetëm 2 pikë. Laçi përkëdhel Nwabuezen, njeri i momentin, sulmuesi më në formë i Superligës, autor i 7 golave këtë edicion, golashënuesi më i mirë.

Në një ndeshje të luftuar për çdo top dhe të spostuar në mesfushë, Nwabueze ishte ai që bëri diferencën, fillimisht në minutën e 39-të duke kaluar Laçin në avantazh me një të djathtë të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë. Historia përsëritet sërish me fillimin e pjesës së dytë, këtë herë Nwabueze ishte thjeshtë fantastik. Me një aksion personal, nigeriani depërtoi deri në zonën e Vllaznisë dhe me një goditje shumë të bukur realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për Laçin.

Vllaznia ishte e pafuqishme për të reaguar, jo vetëm kaq por me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 60-të, Laçi kapi të papërgatitur mbrojtjen shkodrane, Regi Lushkja vallëzoi në zonë duke shënuar dhe golin e tretë, një gol që vulosi fatet e këtij takimi, një gol që rikthehen Laçin në garë për objektiva të rëndësishëm ndërsa Vllaznisë e vetmja gjë që i mungon për momentin është vazhdimësia.

Partizani-Kukësi, Lerda: S’kemi presion

Të hënën luhet ndeshja e fundit dhe më e rëndësishme e javës së 10 të Superligës mes Partizanit dhe Kukësit. Të kuqtë në mesjavë morën kreun e kampionatit dhe tashmë nuk duan ta lëshojnë më. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Franco Lerda që në konferencën për shtyp para ndeshjes ka deklaruar se luajnë pa presion ndaj Kukësit, por duhet bërë kujdes.

Përballeni me një rival direkt. Sa e vështirë është kjo ndeshje? A keni presion pasi keni kreun?

Mendoj se nuk kemi presion për Kukësin. Kush luan apo drejton te Partizani, rëndësi ka që të ruajë ekuilibrat pasi dihen objektivat e klubit. Jemi përgatitur për këtë takim, dhe mendoj se do e zhvillojmë këtë ndeshje me qetësi të plotë, siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara.

Çfarë ka ndryshuar Partizani nga ndeshja e parë ndaj Kukësit në kampionat?

Kemi ndryshuar shumë, pasi tashmë kemi më shumë minuta dhe stërvitje në këmbë. Kemi krijuar një fizionomi të qëndrueshme dhe një ide loje të përbashkët. Kemi rritje edhe në aspektin fizik të lojtarëve. Është rritur edhe njohja ime për kampionatin shqiptar. Kemi bërë një ecuri normale, siç mund të jetë në kampionat.

Thatë që e njihni më mirë Superioren. Tani, si ju duket Superiorja, dhe kush ju duket rivali kryesor për Partizanin?

Përsa i përket organikës së ekipeve, Kukësi dhe Tirana kanë organikën më të plotë, bashkë me Partizanin. Janë rivalët tanë. Por, janë edhe Teuta e Bylisi, që po bëjnë shumë mirë. Edhe Vllaznia po ecën mirë. Janë skuadrat surprizë të sezonit, dhe po bëjnë një kampionat pozitiv.

Sa i rëndësishëm është starti i fazës së dytë me 3 pikë?

Përtej fazave, e parë, e dytë apo e tretë, me rëndësi është që ne të marrim pikët në çdo takim. Kukësi është një ekip i vështirë, duke parë edhe organikën që ka në gjirin e saj. Është një ekip që ka lojtarë ekspert, dhe me kualitet në repartin e avancuar. Është një test i rëndësishëm për ne, tashmë që nis edhe faza e dytë. Mendoj se ashtu si ne, edhe Kukësi ka objektiva të qarta për këtë sezon. Po përpiqemi ta përgatisim mirë këtë ndeshje, duke parë edhe sa ditë kemi pasur në dispozicion. Do punojmë edhe sot për të vendosur lojtarët që do zbresin në fushë nesër.

Solomon, Trashi dhe Telushi me probleme. A janë gati për Kukësin nesër?

Sot do kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Do e vlerësojmë gjendjen e tyre fizike.

Ekipet janë shumë pranë në klasifikim. Sa mendoni se do vazhdojë kjo situatë, me diferenca të pakta mes skuadrave?

Për momentin nuk mund ta them diçka të tillë, nëse do ketë shkëputje apo ekipet do vazhdojnë të ngjeshura. Bylisi dhe Vllaznia po bëjnë një kampionat shumë të mirë, kanë entuziazëm dhe tashmë mbetet të shihet si do jetë ecuria e këtyre ekipeve, por edhe të tjerëve.

Melo ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë me Kukësin. A do ishte më mirë që Melo të luante sërish aty, e të mos sakrifikohej Mala?

Nuk e di se çfarë ka luajtur Melo në të kaluarën, por për mua nuk është lojtar i atij pozicioni. Melon e shoh më shumë si një xhol në repartin ofensiv. Edhe Mala nuk është i adoptuar në pozicionin e mbrojtjes, por po përshtatemi për momentin. Është një lojtar shumë i zgjuar, dhe mund të japë më shumë në pozicionet e tjera.

Superliga, Tirana dhe Teuta e mbyllin në avantazh pjesën e parë

Tirana e mbylli në avantazh pjesën e parë ndaj Flamurtarit në Vlorë, në takimin e javës së 7-të të Superligës. Ekipi bardheblu kaloi në avantazh në të 4` me Edon Hasanin, por në të 13` sulmuesi tjetrë i bardhebluve, Michael Ngoo bëri autogol, duke vendosur barazimin në fushë.

 Megjithatë, Tirana gjeti rrjetën në të 38` përsëri me Edon Hasanin, duke i mbyllur 45` e para në avantazh. Skuadra bardheblu synon tre pikët në Vlorë për të lënë pas humbjen në derbi ndaj Partizanit një javë më parë.

Ndërkohë, të kuqtë janë duke u mundur në “Selman Stërmasi” nga Teuta, e cila shënoi në të 37` me Avdylin.

Skuadra durrsake vjen me ambicie të shtuara këtë sezon, duke synuar edhe fitoren e kampionatit. Në takimin tjetër, atë mes Skënderbeut dhe Luftëtarit, pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0.

Bylis me “5” yje. Vllaznia kafshon 4 herë “ujqërit”

U luajtën të shtunën pasdite katër ndeshje të Superligës të vlefshme për javën e 6-të të kampionatit. Teuta ka fituar mes polemikash në Durrës ndaj Kukësit, duke u ngjitur në krye të renditjes me 11 pikë. Skuadra durrsake shënoi me Kallakun në minutën e 82-të nga pika e bardhë e penalltisë, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme. Ndërkohë, ndeshja është shoqëruar me tension, duke detyruar arbitrin e të nxjerrë dy kartonë të kuq, për Malikjin e Kukësit në të 72`  dhe Blagoja i Teutës në të 87`.

Vllaznia shënoi katër herë në portën e Skënderbeut, në ndeshjen e luajtur në Shkodër. Skuadra e qytetit veri-perëndimor e hapi serinë e golave me Likën, që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë në të 41`, ndërsa në pjesën e dytë erdhën dhe tre gola të tjerë. Ishte përsëri Lika që gjeti rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë në të 68`, ndërsa Zogaj në të 82` dhe Gonzales në të 94` vulosën shifrat 4-0 për Vllazninë. Fitorja e të shtunës e ngjit skuadrën shkodrane në kuotën e 9 pikëve po aq sa Skënderbeu që ndajnë së bashku vendin e 5 dhe të 6-të.

Bylis është supriza e sezonit. Skuadra mallakastriote mundi 5-0 Flamurtarin në Ballsh, duke shkuar në kuotën e 11 pikëve në vendine e dytë të renditjes. Qardaku në të 30`, goxhaj në të 33` dhe Ntepe në të 41`, shënuan gjatë pjesës së parë. Në të dytën Guindo në të 72` dhe përsëri Ntepe në të 77`, vulosën shifrat me rezultatin 5-0, duke i dhënë një fitore të jashtëzakonshme skuadrës së Bylis. Ndërkohë, humbja e të shtunës e lë Flamurtarin në vendin e fundit në renditje me vetëm 1 pikë pas 6-të javësh kampionat.

Sfida tjetër, ajo mes Luftëtarit dhe Laçit, është mbyllur në barazim 1-1. Skuadra gjirokastrite kaloi e para në avantazh me gol të Donald Rapo, ndërsa Naubebe barazoi për kurbinasit në fund të takimit nga pika e bardhë e penalltisë. Laçi mban vendin e 8 me 6-të pikë në po kaq javë kampionat, ndërsa Luftëtari ndodhet në vendin  e 9-të me 5 pikë. Sfida e fundit e javës së 6-të të Superligës, është kryendeshja Tirana-Partizani të dielën në mbrëmje në orën 19:00, të datës 29 shtator, në “Selman Stërmasi”.

Tabela e renditjes:

O’Tiron je “kampion”! Tre gola “ujqërve”

Tirana ka marrë fitoren e tretë në kampionat këtë sezon, duke mundur në shtëpi Skënderbeun me rezultatin 3-1. Ashtu siç pritej, 24 herë kampionët e vendit kanë tentuar që në fillim portën, por mbrojtja korçare është treguar e kujdesshme. Presionit të vendasve, skuadra e Skënderbeut i ka rezistuar deri në minutën e 45+2. Michael Ngoo ka kaluar Tiranën në avantazh. Kobina tenton rrjetën, por ndalet nga Koliçi i cili nuk kontrollon si duhet, dhe përfiton Ngoo që tund rrjetën. Ky gol bën që të shpërthejë festa në tribunat e “Selman Stërmasit”. Me nisjen e pjesës së dytë, Tirana mbetet në sulm, por Skënderbeu barazon në të 66`.

Një krosim i bukur i Gripshit shfrytëzohet në mënyrën e duhur nga Pollozhani, i cili realizon dhe vendos barazimin në fushë. Barazimi nuk e kënaq Ardi Memën, i cili i kërkon skuadrës të bëjë më shumë presion. Kështu, Skënderbeu dorëzohet në pesë minutat e fundit të ndeshjes. Në të 85` minutë, Grent Halili gjen rrjetën duke shënuar me kokë pas një asisti të Hoxhallarit. Pesë minuta më vonë, në të 90`, Hoxhallari përfiton nga një rrëmujë në zonë duke devijuar topin në rrjetë pas një goditje këndi.

Me fitoren e të shtunës, Tirana ngjitet në krye të renditjes me 10 pikë, ndërsa pas saj është Teuta me 8 pikë që parazoi me Vllazninë, me rezultatin 0-0. Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Luftëtari ka mundur Flramurtarin në “derbin” e jugut, pas një dygolëshi të Realdo Filit, që shënoi në minutën e 53 dhe 90`. Kështu, gjirokastritët ngjiten në vendin e tetë me 3 pikë, ndërsa Flamurtari në vendin e fundit pa asnjë pikë. Të dielën do të luhen dy sfidat e mbetura të javës së katërt të Superligës, Kukësi-Bylis dhe Laçi-Partizani.

Kukësin e shpëton Musta, Laçi merr pikën e parë në kampionat

Kukësi është ndaluar në barazim 1-1 me Laçin në javën e tretë të Superligës. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk ka arritur të marrë dot fitoren e tretë radhazi, pas dy ndeshjeve të para. Ishte ekipi kurbinas që ka befasur kuksianët në pjesën e dytë të lojës. Nëabeze ka shënuar në minutën e 51` të sfidës një super gol nga jashtë zone, duke përfituar nga hutimi i mbrojtjes së skuadrës së Kukësit.

Megjithatë, pavarësisht golit, ishte skuadra e Shpëtim Duros ajo që dominoi takimin, me Shkurtajn që shpërdoroi disa raste për shënim. Në minutën e 87-të, Emiliano Musta nga jashtë zone, ashtu si në rastin e skuadrës së Laçit, ka mposhtur mbrojtjen dhe portierin kurbinas, duke vendosur shifrat në barazpeshë 1-1.

Me barazimin e të dielës, Kukësi ngjitet në vendin e dytë të renditjes me pikë të barabarta me Tiranën dhe Teutën, por me golavarazh më të keq se bardheblutë që përkohësisht mbajnë vendin e parë. Ndërkohë, Laçi merr pikën e parë pas tre javësh kampionat, duke u ngjitur në vendin e tetë të renditjes.

Traversa ndal Tiranën, shpëton Teutën, vendos paqe në “Selman Stërmasi”

Vrullin e javës së parë të kampionatit, ku fituan duke marrë tre pikë, Tirana dhe Teuta  e kanë ndaluar në ndeshjen e javës së dytë. Takimi hapës i kësaj jave ka përfunduar në barazim pa gola në “Selman Stërmasi”, por rastet nuk munguan. Ndeshja nisi me ritëm të lartë. Bardheblutë janë më këmbngulës në aksionet e tyre, duke rrezikuar më shumë portën e kundërshtarëve.

Por përpjekjet e Halilit, Hasanit dhe Ngoo, do ndaleshin nga mbrojtja, portieri dhe traversat kundërshtare. Në pjesën parë episodi më i rëndësishëm ishte ai i ‘prozhektorëve’, të cilët u fikën pas një defekti në minutën e 20-të lojës, riparimi i të cilit zgjati të paktën 40 minuta, duke bërë që ndeshja të ndërpritet.

Pas këtij momenti, Tirana rikthet përsëri agresive duke tentuar portën, dhe rasti ideal është në minutën e 23 të takimit. Një gjuajtje dënimi e ekzekutuara nga Hoxhallari, bën që topi të shkojë në kufijtë e zonës fatale, por sfera nuk kalon brena rrjetës pasi largon Frashëri. Megjithatë, pas këtij rasti është Teuta që kërkon golin, por tentativat e saj gjejnë përgjigjen e mbrojtjes vendase.

Në pjesën e dytë të lojës, Tirana mund të kishte shënuar dy herë, nëse gjuajtjet e Ngoo dhe Hasanit nuk do të kishin përfunduar në tranversë. Megjithë përpjekjet e mëdha, deri në fund të takimit rrjetat e të dy ekipeve mbetën të paprekura. Pas ndeshjes së dytë, Tirana vijon të mbajë vendin e parë në renditje, në pritje të takimeve të radhës të Superligës që do të luhen të mërkurën.

Skip to toolbar