Rikthehet Superliga me Skënderbeu-Partizani. Sormani: Rivalë kemi Kukësin dhe Tiranën

AKTUALITET


Pas pushimeve dimërore, të martën në 21 janar rikthehet kampionati i futbollit. Partizani do të udhëtojë drejt Korçës  ku do të përballet me Skënderbeun vendas, në takimin e parë për këtë vit. Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani doli në konferencë për mediat në prag të kësaj sfide, ku deklaroi se skuadra është përgatitur mirë gjatë qëndrimit në Turqi.

“Në çdo skuadër kur ndërrohet një trajner, do të thotë se ka një problem pasi në të kundërt nuk ndërrohet trajneri. Besoj se problemi fizik nuk mund të ndahet nga ai mental. Mendja është ajo që bën të funksionojnë këmbët, në këtë formë nëse zgjidh problemin mental, zgjidh edhe atë fizik. Pastaj është e qartë se duhet të punosh. Unë e di që kërkesat e mia gjatë stërvitjeve janë të rënda, kërkoj shumë intensitet dhe pjesëmarrje të madhe nga të gjithë. Por, duhet them se skuadra ka punuar mirë. Ka punuar me dëshirë të madhe dhe duke bashkëpunuar e këto janë gjërat më të rëndësishme”, tha Sormani.

I pyetur nëse do të kishte nevojë për ndërhyrje në merkato, Sormani nuk dha detaje. Megjithatë, ai shtoi se duhet të fokusohet të punojë me grupin që ka në dispozicion. “Është detyra ime që t’iu marr maksimumin dhe ky është objektivi im, këtu do jem i fokusuar. Kush më ka njohur në aventurën time të parë te Partizani, unë asnjëherë nuk flas për individë por për grupin. Për të fituar duhet të jesh një skuadër. Edhe skuadrat e mëdha nuk arrijnë t’i zgjidhin ndeshjet me një lojtar”, u shpreh trajneri.

Duke bërë një krahasim të skuadrës së para tre viteve me atë aktuale, Sormani tha se tani ka në dispozicion një ekip me shumë potencial.  “Janë të ndryshme. Skuadra tani ka shumë potencial. Është një grup i ri, që mund të rritet dhe i ka mundësitë”. Duke folur për rivalët, Sormani u shpreh se Kukësi dhe Tirana janë kundërshtarët direkt për titullin gjatë këtij sezoni. “Kukësi është rivali ynë, ashtu sikurse Tirana. Këto mendoj se janë skuadrat që do na rivalizojnë për titull, nisur nga ajo që kanë dhënë deri tani”.

Në fund ai foli dhe për emra konkret lojtarës, si Mala, që ka pasur probleme në pjesë e parë të sezonit, apo dhe ndryshimet në pozicion të Trashit. Sormani tha se për rastin e parë është klubi ai që vendos, ndërsa për Trashin nuk do të ketë ndryshim pozicioni. “Mala është një çështje e klubit, nuk futem unë. Kur të jetë në dispozicionin tim, atëherë ndryshon situata. Komunikoj me klubin në çdo moment dhe kjo është situata. Trashi, nuk shoh arsye t’ia ndryshoj pozicionin. Është paraqitur mirë dhe s’kemi pse. Po shprehet mirë në mbrojtje dhe do luajë aty”, shtoi Sormani.



Skip to toolbar