Rinisin protestat në Serbi, opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve

KOSOVA


Kundërshtarët e presidentit serb Aleksandar Vuçiç u mblodhën të premten në mbrëmje jashtë ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që zgjedhjet e muajit të kaluar të anulohen për shkak të parregullsive në shkallë të gjerë, që u raportuan nga vëzhgues lokalë dhe ndërkombëtarë.

Grupi “Serbia kundër dhunës”, ka akuzuar qeverinë e presidentit Vuçiç për organizimin e një mashtrimi në votimet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit, veçanërisht në Beograd, kryeqytetin serb. Por presidenti Vuçiç i ka mohuar akuzat.


Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e zgjedhjeve parlamentare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka shpallur Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit fituese të zgjedhjeve dhe ka hedhur poshtë ankesat e opozitës. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur ende për ankesat.

Rreth 2,000 protestues marshuan gjithashtu drejt selisë së transmetuesit publik të Serbisë RTS, të cilin ata e akuzojnë për qëndrime pro qeveritare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve raportuan raste të blerjes së votave dhe mbushjes së kutive të votimit dhe thanë se zgjedhjet serbe përgjithësisht u mbajtën në “kushte të padrejta”.

Partitë e opozitës dhe vëzhguesit e pavarur lokalë të zgjedhjeve kanë pohuar se votuesit u dërguan me autobus në Beograd për të hedhur votat për partinë në pushtet, pasi u regjistruan në adresa false.

Mijëra veta protestuan për ditë të tëra në fund të dhjetorit, duke akuzuar presidentin Vuçiç për vjedhje votash. Policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi dhjetëra veta pasi protestuesit u përpoqën të hynin në bashkinë e Beogradit në një nga demonstratat.




Skip to toolbar