Ish sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ka bërë thirrje të shtunën për gjetjen e një zgjidhje për krizën, ndërsa shkruan se PD boll harxhoi energji me denoncimin e Ramës. Tani sipas Ristanit, shqiptarët e dinë se kush është Rama, ama edhe PD e di se përmes bojkotit nuk vjen zgjidhja. Ndaj, shkruan ish numri dy i PD-së, është koha që të gjendet një rrugë tjetër që të çon në zgjidhjen e krizës.
“Duhet të përqëndrohemi të gjithë te gjetja e zgjidhjes për krizën e rëndë që po kalojmë.
Rama bën çdo ditë veprime kundër interesit publik, çdo ditë vjedh dhe zhvat pasuritë e shqiptarëve, çdo ditë tallet me varfërinë e tyre, por këtë tashmë, s’ka shqiptar që nuk e di.
Le të themi se faza e denoncimit dhe beteja që shqiptarët dhe ndërkombëtarët ta njohin se kush është dhe çfarë bën, e realizoi qëllimin. Çdo energji e tepërt e harxhuar për ta denoncuar të keqen publikisht, është energji e çuar dëm.
Duhen përqendruar forcat dhe mendja, te gjetja e rrugës që na çon te zgjidhja, dakordësimi gjithëpërfshirës për rrugën e gjetur, qartësi për etapat dhe rolet, përqëndrim dhe besim.
Sidoqoftë, rruga e bojkotit dhe ikja nga përballja institucionale, brenda sistemit, me kundërshtarin, tashmë është e përjashtuar si zgjidhje”, shkruan Ristani në Facebook.
Kjo deklaratë e Ristanit vjen në një kohë kur Basha vijon pa reshtur sulmet kundër Ramës, ndërkohë që nuk ka propozuar asnjë zgjidhje sesi PD mendon të dalë nga kriza. Në një kohë kur aleatët e PD-së kërkojnë zgjedhje me 13 tetor, Basha vijon t’i qëndrojë dy kushteve kryesore të tij që janë zgjedhje pa Edi Ramën dhe qeveri teknike; kushte këto të parealizueshme dhe që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Ndaj dhe Ristani shkruan se tani është koha që PD të ofrojë zgjidhje për veten dhe për vendin. Ristani më herët e ka cilësuar të gabuar vendimin e PD-së për të bojkotuar zgjedhjet lokale, vendim ky që e nxorri PD-në jashtë çdo pushteti. Ai është shprehur edhe kundër kushtit të Bashës për zgjedhje pa Ramën, pasi sipas ish sekretarit të PD-së, Rama mund të largohet vetëm me votë dhe jo me fjalë apo protesta.
Të premten Realstory njoftoi përmes një shkrimi se në shtator do të nisë lëvizja “Basha ik” ku pritet që të mënjanuarit e PD, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kanë qenë mjaft kritikë me qëndrimet e tyre ndaj kreut të opozitës, të nisin një aksion për largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së. Burime të Realstory.al thonë se pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë, të nxjerrë jashtë strukturave drejtuese të PD./Realstory.al