Cristiano Ronaldo shpërtheu në lot gjatë një interviste televizive pasi në TV u shfaqën pamjet e babait të tij të ndjerë i cili deklaronte në një intervistë të mëhershme se ishte krenar për djalin e tij.
Yllit të Juventusit iu shfaq klipi i babait të tij Jose Dinis Aveiro duke folur për të përpara turneut në Euro 2004 të zhvilluar në Portugali.
Babai i tij, një person i alkoolizuar dhe ish ushtarak, ndërroi jetë nga një sëmundje e mëlçisë në moshën 52 vjeçare, duke humbur rastin për të parë suksesin e Ronaldos dhe lindjen e katër fëmijëve të tij.
Në lot, Ronaldo tha gjatë intervistës një orëshe me Piers Morgan se priste që intervista të ishte me humor dhe se nuk priste kurrë të qante.
“Mendoja se intervista do të ishte me humor, por nuk prisja të qaja. Por unë kurrë nuk i pashë këto imazhe. Unë duhet t’i kem këto imazhe për të treguar familjen time. Por unë me të vërtetë nuk e njoh babanë tim 100 përqind. Ai ishte një person i dehur. Unë kurrë nuk fola me të, si një bisedë normale. Ishte e vështirë”, tha futbollisti i njohur.
Ronaldo ishte vetëm 20 vjeç kur babai i tij ndërroi jetë, që do të thotë se humbi shumë nga momentet më të mëdha të karrierës së tij në futboll.
Këto përfshijnë fitimin e pesë titujve të Ligës së Kampionëve dhe pesë Topat e Artë, si dhe udhëheqjen e Portugalisë drejt Euro 2016.