Zëvendës kryeministri Erion Braçe drejtoi të mërkurën mbledhjen e 7 të jashtëzakonshme të qeverisë, në mungesë të kryeministri Rama, i cili ndodhet në Londër ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s. Braçe vuri theksin në domosdoshmërinë e kontrollit të pallateve të vjetra me shtesa, duke thënë se këto shtesa përbëjnë rrezik në pallatet e para viteve ’90. Zëvendës kryeministri gjithashtu pasqyroi dhe shqetësimin e disa qytetarëve për disa pallate ku janë sharruar kolonat në garazhe.
“Në Tiranë unë personalisht kam marrë një seri shqetësimesh që janë në pallate të reja, shqetësime me atë që nuk duken, kryesisht me garazhe, ku janë lëvizur dhe sharruar kolona për t’u hapur vende për t’u strehuar. Janë raste sporadike, por ne duhet t’u përgjigjemi së bashku me ata që janë përgjegjës, pra me ndërtuesit. Puna duhet të përfshijë ata që kanë leje. Nuk kanë përmasën e Durrësit as në sasi, por as në përmasën e dëmit. Duhet t’u japim garanci njerëzve.
Çdo të bëhet me shtesat me leje apo pa leje mbi pallatet para viteve 1990? Për mendimin tim sa kam parë, ata që janë bërë me leje sipas ekspertëve rrezikojnë strukturën e pallatit që sot është në rregull, por rrezikon më tutje, ata zyrtarë që kanë këto gjëra duhet të mbajnë përgjegjësi. Atje ku janë pa leje po prapë të mbajnë ata që i kanë bërë. Duhet marrë një vendim teknik se çfarë do të bëhet me shtesat mbi lejet e ndërtimit që rrezikojnë pallatet. Gjatë fazës së kontrollit duhet të kemi parasysh edhe këtë fakt”, tha Braçe.
Ndërkohë ministri Bledi Çuçi bëri një bilanc të personave që janë strehuar deri tani dhe dëmeve në godina.
“Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera. Për sa i takon dëmeve, në 26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t’u prishur. Në qarkun Tiranë javën 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese.
Në Lezhë 400 banesa të dëmtuara, 138 me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 të mesme. Sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. U bëj thirrje për pak durim banorëve, asnjë banesë nuk do të mbetet pa verifikim. Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë.
Sot do të fillojmë me lejet përkatëse që të fillojnë menjëherë. Duhet një udhëzim për bashkitë e prekura për trajtim të bonuesve të qirasë deri kur të përfundojë akomodimi. 20 objekte të shembura deri tani në bazë të procedurave, nga akti i konstatimit te dosja procedurale, para ndërhyrjes së shembjes me fiksimin e vendit të ngjarjes dhe marrjes së provave, 8 në Thumanë dhe 12 në Durrës. Donacionet janë gjithmonë në rritje”, tha Çuçi.
Braçe gjithashtu kërkoi më shumë vëmendje për zonat rurale. “E gjithë vëmendja të përqendrohet te zonat rurale për shkak edhe të motit dhe nisjes së dëborës. Të dërgohen çadra dimërore. Banorët e Krujës dhe Vorës të akomodohen në Tiranë për strehim në banesat me qira. Për vlerësimin e dëmeve, është bërë një punë shumë e mirë deri tani, ekspertët kanë dhënë siguri për një pjesë të madhe.
Lezha dhe Laçi të kthehen në prioritet, për shkak të panikut atje, por edhe se çfarë duhet të bëhet me ata njerëz, por edhe për t’i vënë limit abuzimit. Zona rurale ka mbetur pak më mbrapa për vlerësimin e dëmeve. Ka njerëz që i kanë shtëpitë me plasaritje të lehta, por nuk hyjnë për shkak të frikës”, tha Braçe.