Rrëzohen ankesat e LDK, PDK dhe Nisma për rinumërim votash

KOSOVA


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar tre kërkesat e partive politike, LDK, PDK dhe Nisma për rinumërim të votave në Kosovë, pasi sipas argumentimit të dhënë në vendim, ata nuk mund të ankohen për një rezultat paraprak. KQZ deri tani ka nxjerrë vetëm rezultatin paraprak, pasi ende nuk janë numëruar votat e emigrantëve, votat me kusht dhe votat e persona me nevoja të veçanta.

PZAP në Kosovë është i njëjtë me Kolegjin Zgjedhor dhe vendimi i këtij institucioni nuk mund të apelohet. Trupi gjykues me 9 gjyqtarë ka rrëzuar ankesat e tre partive politike me vendimin e së martës, ku deklarohet se ankesat e tyre u pranuan të hënën dhe brenda 24 orëve u vendos rrëzimi i tyre.


“Meqë palët ankuese, kërkesë kryesore të tyre kanë rinumërimin e votave për shkak të pretendimeve se gabimet teknike në FRP, kanë ndikuar në rezultatin e votave për subjektet e tyre, në këtë fazë të procesit zgjedhor, të gjitha ankesat që i referohen kontestimit të rezultateve hudhen poshtë si të palejuara sepse rezultatet nuk janë përfundimtare dhe të njëjtat mund të ndryshojnë, e po ashtu korrektimi i gabimeve që i referohen ankuesit në raport me FRP, tani për tani është në kompetencë të KQZ, për korrektim me rastin e auditimit të të gjitha FRP-ve, sipas procedurave të Qendrës së Numërimit të Rezultateve” thotë në arsyetimin e vet Paneli Zgjedhor, i cili shton se kjo nuk do të thotë që ankuesit nuk mund të ankohen sërish kur të dalë rezultati përfundimtar.




Skip to toolbar