Albinit i vjen “urimi” amerikan: Akord me Serbinë

AKTUALITET


Departamenti Amerikan i Shtetit shprehet se  “mirëpret mundësinë për të punuar me një qeveri të re pro-dialog”. Sipas një lajmi publikuar nga Zeri i Amerikës, një zëdhënës i DASH, në deklaratën e parë bërë për zgjedhjet në Kosovë, shprehet se “udhëheqja e re në Kosovë duhet të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.


Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi të martën Ambasadorin e SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett. Në një deklaratë të bërë nga Vetëvendosja, thuhet se është diskutuar për “mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë”. Më tej, citohet fjala e Albin Kurtit, ku përsëritet qëndrimi se “dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës.

“Dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Josep Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”.




Skip to toolbar