Çmimet e naftës shënuan rritje të hënën, 27 prill, në tregjet aziatike, pasi planet për një raund të dytë bisedimesh paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u bllokuan sërish.
Nafta Brent, standardi global, u rrit me 1%, duke arritur në 106.50 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA u ngjit gjithashtu me 1%, në 95.40 dollarë.
Zhvillimi vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni kishte anuluar dërgimin e një delegacioni në Pakistan për negociata me përfaqësuesit iranianë.
Ndërkohë, furnizimet globale me energji mbeten nën presion të fortë që nga fillimi i konfliktit me Iranin. Ngushtica strategjike e Hormuzit është bllokuar praktikisht, pas kërcënimeve të Teheranit për sulme ndaj anijeve, në përgjigje të goditjeve ajrore nga SHBA dhe Izraeli.
Ministri i Jashtëm iranian, Sejed Abbas Araghçi, bëri të ditur se po zhvillohen diskutime të rëndësishme me Omanin për çështje dypalëshe dhe zhvillime rajonale, duke theksuar nevojën për garantimin e kalimit të sigurt në këtë rrugë detare kyçe.
Sipas agjencisë shtetërore IRNA, Araghçi ka mbërritur në Shën Petersburg, ku pritet të zhvillojë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.
Rreth 20% e naftës bruto dhe gazit natyror të lëngëzuar në botë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Çmimi i naftës Brent është rritur me mbi 10% që kur Trump njoftoi zgjatjen e armëpushimit me Iranin, për t’i dhënë kohë Teheranit të paraqesë një propozim të përbashkët.
Ekspertët vlerësojnë se tregjet po reagojnë më me kujdes ndaj zhvillimeve të fundit. Sipas ekonomistit Goh Jing Rong, investitorët po presin prova konkrete për uljen e tensioneve, përtej marrëveshjeve të brishta për armëpushim.
Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump kritikoi procesin e negociatave, duke theksuar se ishte humbur shumë kohë dhe se brenda udhëheqjes iraniane kishte përçarje dhe konfuzion.
Ndërkohë, tregjet aziatike të aksioneve vijuan rritjen. Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me 1.5%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut shënoi një rritje prej 2.3%. Të dy tregjet kanë rikuperuar ndjeshëm pas rënieve të forta në fillim të konfliktit, të nxitura nga varësia e lartë e rajonit nga energjia e Gjirit.
