Mëngjesi i së martës ka nisur me tensione dhe përplasje në qytetin e Shkodrës ku përfaqësues dhe militantë të PD-së kanë bllokuar sërish KZAZ-në në këtë qytet dhe janë përplasur me efektivët e policisë.
Përplasja ka ardhur për shkak se kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi e PD-së ka vendosur të respektojë dekretin e presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht se ky dekret është cilësuar nul dhe pa asnjë forcë ligjore nga KQZ që administron zgjedhjet.
Ashtu sikurse ndodhi të hënën në mesditë, edhe të martën, militantët e PD-së kanë bllokuar hyrjen në KZAZ të anëtareve të saj.
Në momentin që anëtarët e KZAZ-së kanë shkuar për të hapur derën, militantët e opozitës të mbështetur edhe nga policia bashkiake e Shkodrës i kanë bllokuar.
Ne këtë moment ka ndërhyrë policia e rendit për t’u ardhur në ndihmë anëtarëve të KZAZ-s, teksa nuk kanë munguar debatet, tensionet dhe shtyrjet mes efektivëve.
Të gjitha bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës kanë kërkuar që të lirohen KZAZ-të pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Duket se ky është plani i opozitës për të shkaktuar destabilitet në vend, pra bllokimi i KZAZ-ve dhe pengimi i zhvillimit normal të procesit zgjedhor të paktën në bashkitë që ata drejtojnë.