Rritje pagash? Basha: Shqipëria duhet të dalë nga kjo rrugë e rrezikshme!

Më të fundit


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u zotua se do të ulë taksën për karburantin dhe do ta bëjë të njëjtë me vendet e rajonit, kur të vijë në pushtet.

Duke folur për mediat pas takimit me taksistët në kryeqytet, Basha tha se një problem i madh për taksistët është edhe shtimi i korsive të biçikletave, që kanë sjellë rrezik për transportin, por kanë ngushtuar edhe arteriet e trafikut.

“Taksistët janë ndër sektorët më të goditur, pasi njerëzit e kanë tani të pamundur për të paguar taksi, për shkak të situatës së rënduar. Gjithashtu, edhe karburanti është shumë shtrenjtë dhe ky është zotimi im, që kur të vij në pushtet do të ul taksën dhe do ta bëj të njëjtë me atë të rajonit. Problem është edhe shtimi i korsive të biçikletave sjell rrezik për transportin, por ngushton edhe arteriet e trafikut. Numri i përdoruesve të këtyre korsive është shumë i ulët. Pra, ka një përfitim të ulët dhe kosto të madhe, qoftë për trafikun, qoftë për qytetarët në kryeqytet. Cmimi i karburantit, trafiku i shtuar, i ka shtyrë taksistët ata në kufijtë e mbijetesës, që mezi të nxjerrin të ardhura në muaj. Plani ynë parashikon një cek prej 1 mijë eurosh për gjashtë muajt e ardhshëm. Plani ynë me 5 pika bën të mundur që paratë që shkojnë në duart e disa oligarkëve të nxirren dhe të shkojnë aty ku kanë nevojë shqiptarët”, tha Basha.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se do të rrisë pagat e mjekëve dhe mësuesve, Basha tha se ky është një tjetër premtim i pambajtur i tij.

“Premtime të pambajtura të kësaj qeverie keni aq shumë në këto 7 vite. Të gjithë e kuptojnë se i gjendur përballë një bilanci shumë negativ, ky njeri nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër, përveçse të përsërisë premtimet e pambajtura. Prandaj nuk mendoj se shqiptarët sot presin të dëgjojnë premtime të tjera prej tij. Shqiptarët presin ndryshim dhe ndryshimi është i domosdoshëm për t’u larguar nga kjo rrugë e rrezikshme ku është futur vendi”, u shpreh kryedemokrati.



Skip to toolbar