Zërit të ish-deputetes së PD-së, Jozefina Topalli, e cila kritikoi ashpër Bashën duke e cilësuar si një “eksperiment të pamerituar të PD-së” dhe kërkoi largimin e tij, i është bashkuar edhe Rudina Hajdari. Deputetja demokrate në parlament, Hajdari tha se shkatërrimi i partisë së djathtë, që nisi me djegien e mandateve dhe më pas me dhunën në rrugë dhe refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhje, ishte trishtuese për vendin duke e lënë atë pa të drejtë zgjedhje. Por Hajdari shtoi se ndonjëherë gjërat duhet të dështojnë tërësisht në mënyrë që më pas të merret vendimi i duhur, me drejtuesit e duhur. Kjo në të lë të nënkuptosh se në fakt koha e Bashës ka mbaruar në drejtimin e PD, që sipas Hajdarit është shkaktari kryesor për dështimin e partisë së djathtë. Rudina Hajdari tha se është e nevojshme ringritja e Partisë Demokratike, larg dhunës dhe akteve që nuk i kanë hije një partie të tillë.
“Ndonjëherë duhet të dështosh tërësisht në diçka në mënyrë që të marrësh drejtimin e duhur. Mungesa e demokracisë brenda partive ka shkatërruar vijat ideologjike, duke e lënë vendin pa një të djathtë dhe me një autokrat. Çfarë do ndodhë nga sot e në vazhdim do jetë vendimtare për të djathtën. Ringritja e së djathtës klasike është e domosdoshme dhe teoria e ardhjes në pushtet me forcë duhet të marrë fund.” – shkruan Hajdari