Rusia kërcënon Finlandën dhe Norvegjinë me armë

AKTUALITET


Rusia lëshon një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj vendeve nordike. Ushtria e Vladimir Putin njoftoi se do të vendosë artilerinë e saj më të fundit vetëlëvizëse “2S35 Koalitsiya-SV”, shumë pranë kufijve me Norvegjinë dhe Finlandën. Këtë e konfirmoi drejtuesi i Rostec, grupit industrial të mbrojtjes së shtetit rus, duke i konsideruar armët “tepër të domosdoshme për rajonin”.

Armë të ngjashme, të parat të epokës Putin, janë vendosur në linjën e parë të luftës në Ukrainë që nga ky muaj. Sakaq në Krime, Rusia po bën një tërheqje të vogël.


Dy anije kanë lënë portin në gadishullin e aneksuar nga Moska, disa orë pas sulmit të Ukrainës që rezultoi me shkatërrimin e një anije lufte që përdorej si magazinë për karburant. Sipas mediave lokale, mjetet lundruese të larguara nga Krimea janë anije lufte të flotës ushtarake ruse në Detin e Zi. Përveç Europës, Moska po kërcënon edhe shtete të Azisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, paralajmëroi Korenë e Jugut që të mos surprizohet nëse Rusia vendos të reagojë në mënyrën e saj ndaj sanksioneve të vendosura. Seuli ndaloi tregtimin e mbi 600 llojeve të ndryshme të mallrave, të cilat mund të përdoreshin nga ushtria ruse. Kërcënoi edhe Japoninë në rast se dërgon sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë.

“Dëshirojmë të paralajmërojmë se nëse raketat e Japonisë bien në duart e ushtrisë së Ukrainës, veprime të tilla do të konsiderohen jashtëzakonisht armiqësore nga Federata e Rusisë. Kjo do të ketë pasoja tepër të rënda për Japoninë në marrëdhëniet bilaterale”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Ruse.

Rusia po shtyn përpara në Azi një fushatë me bashkëpunime ekonomike. Në orët e fundit është njoftuar që Moska do të eksportojë naftë drejt Kinës dhe Indisë. Gjithashtu me Indinë është nënshkruar dhe një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të armëve.




Skip to toolbar