Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, hodhi poshtë pretendimet se partia e tij populiste është përpjekur të marrë financime të fshehta nga Rusia.
Ai ndërkohë ka shtuar komentet në mbrojtje të asaj që e quan “kulturë e krishterë” si dhe për çështjen që e ka shpërblyer më shumë në zgjedhje, emigracionin.
Ndërsa prokurorët e Milanos pohojnë se partia e ekstremit të djathtë Lega ka kërkuar financime të fshehta ruse, zëvendëskryeministri italian ka shtuar komentet e tij anti-emigracion në tubimet dhe në faqet e tij të mediave sociale, duke e lidhur migracionin me krimin dhe papunësinë dhe duke paralajmëruar se kjo është kërcënim për kulturën tradicionale të Italisë.
Kritikët e zotit Salvini thonë se ai po përpiqet të largojë vëmendjen nga akuzat për Rusinë dhe nga problemet e ekonomisë së vendit, e cila vazhdon të jetë e zhytur në recesion.
Pretendimet për financime të fshehta ruse morën një shtysë të re javën e kaluar kur faqja e lajmeve në internet Buzzfeed publikoi audio të një takimi në një hotel të Moskës midis ish-zëdhënësit të shtypit të Salvinit, dhe disa rusëve të paidentifikuar duke diskutuar mbi mundësinë e devijimit të 65 milionë dollarëve drejt partisë Lega nëpërmjet transaksioneve të naftës ruse me çmim të ulur./VOA/