Ministri italian i Brendshëm Mateo Salvini po përballet së fundi me akuzat se ai ka përfituar financime nga kompani ruse për fushatën zgjedhore. Akuza këto të ngjashme me ato që janë ngritur edhe në Shqipëri nga prokuroria ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
BuzfeedNews ka publikuar një video në të cilën është filmuar Gianluca Savoini, ish ndihmës i Salvinit teksa qëndronte në një hotel në Moskë tetorin e kaluar duke diskutuar kushtet e një marrëveshje për naftën me pesë persona të tjerë, tre rusë dhe dy italiane, e ndërsa Partia e Salvinit do të përfitonte 65 milionë dollarë për një vit. BuzzfeedNews ka publikuar edhe transkriptin e gjithë materialit. Sipas kësaj medieje, kjo video tregon se partia e Salvinit Lega ka përfituar financime të jashtëligjshme për fushatë zgjedhore.
Menjëherë kanë reaguar dy ish kryeministra italianë të cilët kërkojnë sqarime nga ministri i brendshëm Matteo Salvini. Ata kërkojnë një hetim të thelluar se si ndihmësi i ngushtë i Matteo Salvini bëri marrëveshje të fshehtë me rusët ku përfshihet financimi i fushatës.
Ish kryeministri Matteo Renzi ka thënë se është çmenduri të përdorësh naftën ruse dhe financimet e tyre për partinë.“Salvini duhet ta sqarojë menjëherë”.
Edhe pasardhësi i tij Paolo Gentiloni tha se materialet e BuzfeedNews nuk janë thjesht thashetheme dhe se Salvini nuk mund të shtiret sikur nuk ka ndodhur gjë.
Vetë ministri italian i ka mohuar këto akuza: “Kurrë nuk kam marrë asnjë rubël, apo euro apo dollarë, madje as edhe një letër vodka nga rusët”, tha Salvini në një deklaratë ndërsa shtoi se do të padiste këdo që e akuzonte atë për një krim të tillë.
Ndërsa kreu i opozitës shqiptare akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.
Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.