Rikonstruksioni i linjës hekurudhore që lidh Tiranën me Durrësin si dhe ndërtimi i një linje të re që lidh Tiranën me Rinasin, është një projekt i hershëm i qeverisë por që pritet të vihet në zbatim së shpejti. Qeveria ka hapur zyrtarisht procedurën e tenderimit për rehabilitimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Tiranën, por edhe krijimin e linjës së re hekurudhore mes Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli thotë se 10 kompanitë e përzgjedhura kanë kohë deri në muajin shkurt që të propozojnë projektet e tyre, e më pas do shpallet fituese oferta më e përshtatshme dhe ajo me koston më të ulës. Pasi të mbyllet gara, do jetë ministria e Infrastrukturës dhe BERZH që do shqyrtojnë ofertat dhe projektet e kompanive, dhe pas 60 ditësh do të shpallet fituesi.
Është menduar që bileta e udhëtimit për qytetarët do të kushtojë nga 1.5 deri në 2 euro. Ndërsa gjithë investimi parashikohet të kapë vlerën 90.5 milionë euro në total. Zëvendësministri Shkreli ka sqaruar gjithashtu se financimi për këtë projekt do bëhet me fonde të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kujtojmë se faza e parë e tenderimit u krye me 15 maj të këtij viti, ku morën pjesë 24 kompani të huaja dhe shqiptare, por tani në fazën e dytë janë kualifikuar 10 kompani të huaja.