Basha shpërthen kundër PS, Spiropali: Je i pandehur, provo pafajësinë tënde

AKTUALITET


Pas vendimit të KQZ-së për heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, kryetari i PD-së, Basha ka shpërthyer në akuza kundër Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë fatjor dhe bashkëpunëtor me krimin. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha tha se Agim Kajmaku është fytyra e Ramës i cili qeveris vetëm me persona të inkriminuar ndërsa përsëriti dhe njëherë kërkesën për një qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohëshme.

“Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës, është fytyra e radhës se me kë qeveris ai. Ai nuk qeveris dot pa persona të inkriminuar. Është edhe një poshtërim për shqiptarët që shkëlqejnë kudo në botë por në vend qeverisen nga krimi. Tani janë të gjitha provat se kjo ka qenë një skemë e Edi Ramës për të qeverisë me krimin. T’ia kthejmë parlamentin shqiptarëve me zgjedhje të parakohshme parlamentare në një qeveri kujdestare që do të garantojë votën e tyre”, u shpreh Basha.


Pas Bashës ka reaguar menjëherë Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila shkruan se kreu i PD-së para se të akuzojë PS-në të fitojë pafajësinë e tij sepse është një person i pandehur.

“Lulzim! Ti je një i pandehur në prokurori dhe si fillim duhet të provosh pafajësinë tënde për pastrimin e parave në emër të Partisë Demokratike dhe pastaj të hapësh gojën e të japësh mendjen që nuk e ke për Partinë Socialiste!

Partia Socialiste nuk mbron askënd që shkel ligjin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi tjetër përveç respektimit të këtij standardi në raport me çdo shkelës, që abuzon me ligjin dhe me besimin e zgjedhësve të saj! Por ty si abuzues kronik i besimit të zgjedhësve të PD nuk ka se si ta rrok mendja këtë standard, prandaj është e kotë të harxhojmë më shumë se disa pak fjalë me ty dhe me shumicat, fitoret e zgjedhjet e tua imagjinare!”, shkruan Spiropali në facebook.




Skip to toolbar