Cikalleshi futet “mik” te FSHF për Rejën

SPORT


Sokol Cikalleshi doli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes ndaj Turqisë, që do të luhet në datën 11 tetor. Sulmuesi i kombëtares, u shpreh se Turqia është favorite në përballjen e të premtes, por sipas tij, kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren në këtë takim. “Normalisht, për një sulmues golat janë ato që na motivojnë e na bëjnë që të luftojmë e te punojmë më shumë në ndeshjet në vazhdim. Jam i gatshëm të bëj maksimumin tim tani me kombëtaren. Sigurisht është një nga ndeshjet më të vështira pasi Turqia vjen favorite sepse luan në fushën e saj por shkojmë për të bërë lojën tonë. Ndihemi mirë dhe do ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë. Do të shkojmë në Turqi për të fituar ndeshjen edhe pse do të jetë e vështirë. Morali është i mirë pas asaj fitoreje me rezultat të mirë. Këtë ndeshjen e Turqisë kemi të njëjtën situatë që pa njërën nuk vlen tjetra”, tha Cikalleshi.

Sulmuesi, që në dy ndeshjet e fundit të kombëtares shënoi dy gola ndaj Francës dhe Islandës, shprehet se me ardhjen e trajnerit Edy Reja, skuadra ka ndryshuar për mirë. “Jemi në rrugën e duhur, me ardhjen e Rejës gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe flas edhe në aspektin personal pasi kam arritur të shënoj. Është një rrugë e gjatë dhe hap pas hapi hedhim themelet për Botërorin e ardhshëm por jemi edhe në garë për këtë europian. Futbollistët po marrin minuta dhe kjo është nga më të rëndësishmet dhe do të jemi mirë. Po shënojmë jo vetëm ne sulmuesit dhe kjo është diçka e mirë e shpresoj të na ndihmojë. E njoh Turqinë sepse kam luajtur me shumicën prej tyre”, u shpreh Cikalleshi.


Më tej, ai foli dhe për dëmtimin e Elseid Hysaj, duke konfirmuar mungesën e tij në dy takimet e ardhshme. “Fola pak me Hysajn por mund të mungojë. Është humbje e madhe pasi Hysaj është lojtar kryesor dhe do të jetë humbje e madhe. Edhe ndaj Islandës, bëri një nga ndeshjet më të mira duke shënuar edhe gol. Mendoj se në atë pozicion ka lojtarë të tjerë si Roshi që e bën shumë mirë dhe uroj të mos e ndjejmë mungesën”, shtoi Cikalleshi.

Cikalleshi, në fund të fjalës së tij, i bëri dhe një kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit. Trajneri Edy Reja, të vijojë të drejtojë kombëtaren edhe pas nëntorit, periudhë kur atij i përfundon kontrata. “Me trajnerin Reja në aspektin personal jam ndjerë mirë dhe po gjej vetveten e këtë e kam shfaqur në fushë duke shënuar. Kam marrëdhënie të mirë dhe jam i lumtur nëse vazhdon këtu si trajner por mendoj se edhe shumë të tjerë mendojnë këtë gjë. Është Federata ajo që vendos në fund por ne duam të vazhdojë”, tha sulmuesi.




Skip to toolbar