Do të realizohen një sërë projektesh me fokus teknologjinë në vend. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama në fjalën e tij tek Instituti Harry Fultz, për të cilin theksoi se tashmë do japë të njëjtat shanse studimi e pune si ai në Manchester.
“Diplomë 100% e barazvlefshme me Institutin e Teknologjisë së Manchesterit, por duke zhvilluar mësimet dhe praktikat në Tiranë. Është një kantier i hapur me shujmë projekte që po marrin formë dhe patjetër që këtu ka një rol të madh edhe vizioni, ambicia e vetë aktorëve, në këtë rast përfaqësuesve të Harry Fultz. E deshën këtë zhvillim, jemi takuar 16 muaj më parë, kur na e kanë prezantuar këtë ide dhe shprehur këtë ambicie duke kërkuar mirëkuptim për mbështetjen tonë. Sot këtu, kremtojmë këtë moment të zyrtarizimit të këtij programi dhe të hapjes së rrugës për aplikime, për të nisur me studimet në Institutin në këtë kampus, duke filluar nga sezoni i ardhshëm akademik. Të gjithë nxënësve u ka prirë mirë jeta që kanë ardhur në këtë derë, dhe shfaqet kjo mundësi për të vazhduar e thelluar studimet po këtu, por duke u bërë edhe amerikanë në profesion”, tha Rama.
Më tej, u bëri thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët tek qendra “TUMO”.
“Falë kontributit të këtij fondacioni shqiptaro-amerikan, se ju e njihni si ai që grabiti Butrintin, kështu që kur të shkoni në Sarandë për pushime, mos shkoni më aty se nuk është më, janë marrë gurët e vjetër dhe janë çuar hava. Unë këtu përfitoj nga rasti të sjell në vëmendje se ju jeni të rritur për këtë që do them, tek Piramida zhvillohet një praktikë e jashtëzakonshme e futjes së fëmijëve në teknologji, me programe dhe sukses të jashtëzakonshëm. Është një program i marrë nga jashtë që zbatohet 100% edhe këtu, i qendrës TUMO. Të gjithë ata që i kanë fëmijët nga 12-18 vjeç janë të ftuar ta shikojnë këtë program sepse pranimet bëhen falas sepse ka një marrëveshje mes fondacionit dhe bashkisë Tiranë, për të gjithë ata që kanë vullnetin dhe talentin për atë punë.”
Rreshtoi projektet e kësaj natyre në Tiranë dhe qytetet e tjera.
“Do të përfundojë parku i madh teknologjik “Durana Tech Park”, hapësirë e re me legjislacion të posaçëm që do tërheqë shumë kompani apo start up-e. Është horizont i ri, ashtu siç do jetë ajo në qendër të Vlorës, ku një godinë dikur e papërdorur në mes të sheshit po transformohet në një hapësirë që do vihet në funksion të teknologjisë. Në Shtator hapen e dyert e shkollës ekselente franceze me metodologji inovative, paralalisht edhe Liceun Francez për Teknologjinë në Korçë, që po e ndjekim me Presidentin e Francës dhe që është zotim i bërë ndaj një komuniteti qytetarësh në Korçë. Do vazhdojmë me TUMO-t në Shkodër dhe Elbasan.”
Sipas kryeministrit, kjo nismë është “rrugë e shtruar” për të gjithë ata që duan të punësohen në këtë fushë, me një sistem të mirëpaguar. “Kërkesa e sipërmarrjes shqiptare për punonjës me dije në teknoogji është e lartë”, nënvizoi ai.