Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një mesazh të fortë kundër zyrtarëve të korruptuar që kanë dalë kundër reformave në vend. Deklarata është bërë në emër të SHBA-së nga Zëvendës, Shefi i Misionit në Detyrë Dan Koski gjatë aktivitetit mbi Projektin për Planifikimin dhe Qeverinë Vendore të USAID. Në fjalën e tij Koksi theksoi se SHBA ka qëndruar pranë Shqipërinë përgjatë këtyre viteve dhe do të vazhdojë të japë ndihmën e saj, por dhe Shqipëria duhet të tregojë se qëndron fort në rrugën e reformave pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve të korruptuar që synojnë t’i luftojnë dhe t’i bllokojnë këto reforma.
“Fatkeqësisht jo të gjithë ndajnë qëllimet tona për të përmirësuar zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Shqipëri. Për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është një lajm i keq. Është si rëra në ingranazhe, e cila shumë shpejt do bëjë që aktivitetet e tyre korruptive të ndalen. Ne e dimë se ata do të luftojnë dhe do të përpiqen në çdo moment të bllokojnë përpjekjet tuaja për të çuar përpara këto qëllime të rëndësishme. Mos u stepni. Mos u shkurajoni. Vazhdoni të qëndroni në këmbë dhe të luftoni për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare për ju dhe brezat e ardhshëm. Ju besoni që në horizont është një e ardhme më e ndritur për Shqipërinë. Të njëjtën gjë mendojmë edhe ne, dhe do ta vijojmë këtë rrugëtim së bashku me ju”, është shprehur zv. Shefi i Misionit në Detyrë të SHBA në Tiranë, Dan Koski.
Një deklaratë e tillë, e bërë në kontekstin aktual politik bie si këmbanë ndaj atyre personave që janë shprehur kundër reformës në drejtësi për të cilën SHBA është investuar fuqishëm. Dhe një ndër këta persona është presidenti Ilir Meta. Në disa raste ai ka sulmuar hapur këtë reformë duke e cilësuar atë të kapur, pavarësisht se ajo është vlerësuar nga SHBA dhe nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
I pranishëm në po të njëjtin aktivitet ka qenë edhe zëvendës kryeministri Erion Braçe i cili ka folur me detaje për qeverisjen vendore, ndërsa ka vënë theksin tek nevoja e vijimit të procesit të decentralizimit në kuadër të Reformës Administrative. Por dhe Braçe është ndalur tek reforma në Drejtësi duke thënë se çdo reformë pa Drejtësinë e pavarur, të barabartë, funksionale është e cungët dhe vë në rrezik rezultatet e saj.
Braçe është shprehur se reforma në Drejtësi nuk duhet të ndryshojë për shkak të sulmeve që bëhen nga politikanët e përjetshëm dhe të paprekshëm.
“Duhet të qëndrojmë fort në kursin e reformës së Drejtësisë. Pa ndryshuar dhe deformuar kornizën e saj kushtetuese, ligjore të miratuar e njohur ndërkombëtarësh. Presionet, sulmet e politikanëve të përjetshëm e me pushtet po të tillë, të paprekshëm, biznesmenëve me ta, të fuqizuar prej tyre, bërë edhe këta të paprekshëm, kriminelëve të rëndësishëm për shkak të organizatave të tyre e për shkak të fuqisë ekonomike, lidhjeve me politikën, nuk duhet të ndryshojnë reformën, nuk duhet të ndalin vetingun, nuk duhet të pengojnë ndërtimin e institucioneve të drejtësisë së re, profesionale, të pavarura, të pastra, si një garanci për qytetarët, organizatat politike, organizatat e biznesit, si garanci që institucionet do udhëhiqen veç nga ligji, nderi e dinjiteti.
Nuk duhet të vonojmë drejtësinë për gjithkënd, veçanërisht për ata që përfshihen në korrupsion e krim, nga pozitat më të larta të pushtetit politik dhe ekonomik, duhen ndëshkuar fort e shkurajuar imunitetet përballë ligjit e duke e shkelur atë.
Duhet të përmbushim konkretisht e me shembuj të qartë nga politika e pistë, biznesi klientelist e krimi i organizuar, pritshmëritë e shqiptarëve të zakonshëm të dhunuar prej tyre e që kërkojnë drejtësi të barabartë për të pushtetshmit”, është shprehur Braçe.
Maxhoranca qeverisëse ka qenë e vendosur në qëndrimin e saj pro reformës në drejtësi. Kryeministri Rama në disa raste e ka deklaruar se reforma në drejtësi nuk diskutohet, nuk negociohet por zbatohet. Ndërkohë që kundër saj, kanë dalë hapur presidenti Meta dhe disa përfaqësues të opozitës të cilët akuzojnë Ramën për kapjen e saj./realstory.al