Shehi: Jemi në paqe të përkohshme

AKTUALITET


Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka deklaruar të martën se opozita ka bërë një paqe të përkohshme duke mos dalë në protesta, në pritje të vendimit për negociatat më 18 tetor.

Kemi vite që ëndërrojmë Europën, thotë Shehi, ndaj dhe opozita i ka ndërprerë protestat, por kjo s’do të thotë se ato nuk do të fillojnë më vonë.


“Pozicioni opozitar është shfrytëzuar mëse një herë për t’u justifikuar para shqiptarëve. Ja ku e keni vendin, pa demonstrata. Është një logjikë normale nga të qenit perëndimorë. Më perëndimorë se qendra e djathtë këtu nuk ka. Aleati strategjik i palëvizshëm i perëndimit i SHBA është qendra e djathtë. Përpara interesave tonë është ai Europian. Kemi kohë sa të duash për t’i filluar demonstratat. Në njëfarë mënyrë, po bëjmë një paqe të përkohshme. Kemi vite që ëndërrojmë Europën dhe janë bërë vite me këtë në pushtet që e shtyn Shqipërinë drejt Rusisë, drejt Turqisë, drejt Kinës. Kush është kaq i ethshëm për demonstrata, të jeni të sigurtë që punë javësh është”, është shprehur Shehi për A2CNN.

I pyetur nëse Shqipëria i meriton negociatat Shehi ka dy këndvështrime. Nga njëra anë ai mendon se negociatat duhet të hapen për ta inkurajuar Shqipërinë, por nga ana tjetër mendon se vendi ynë nuk i meriton ato. “Nëse flasim për inkurajim, po. Nëse do të flisnim për meritë, atëherë me këtë sjellje nuk ka gjë fare europiane. Kjo është një bandë që mund të ishte në Nikaragua, Kongo. Mesa duket pa kushte nuk do të hapet. Unë uroj që të na i hapnin pa kushte. Uroj që të jemi me një linjë me Maqedoninë, pasi në të kundërt do të ishim me një marsh tjetër. Të ndryshëm do të jetë një hall i madh për Shqipërinë që do të vijë mbrapa. Do të duhet një luftë e madhe për ta ringritur imazhin e vendit”, shprehet Shehi.

Ai, gjithashtu, foli edhe për platformën e aleatëve të PD, e cila i është propozuar liderit të opozitës. Shehi theksoi se kjo “platformë” synon rivlerësimin e PD.

“Kjo është një mënyrë për të rregulluar marrëdhëniet tona të brendshme, për të zgjeruar bazën opozitare, përfshirë të gjithë faktorët që kanë luajtur një rol në këto vite. Ky është një dokument politik dhe nuk mund ta quajmë platformë.  “Halli jonë nuk është të bëjmë më të vogël PD-në. Historia ka bërë të sajën, PD është forca më e madhe. Ne duan ta rivlerësojmë PD-në, të marrë të gjithë udhëheqjen e opozitës. Kjo nuk është një listë që e nxjerrim nga dollapi. Ne na duhen sot luftëtarët që luftojnë sot”, deklaron kreu i LZHK-së.

Në platformën me 7 pika të aleatëve të djathtë i kërkohet Bashës të përmirësojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të hapë opozitën për rininë dhe intelektualët, të mbështesë reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi si dhe të unifikojë qëndrimet e koalicionit opozitar. Aleatët gjithashtu i sugjerojnë Bashës që zgjidhja për krizën të vijë nga dialogu me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve./realstory.al




Skip to toolbar