Shfrytëzuesit e guroreve në Tomorr bllokojnë rrugën Skrapar-Berat, ndërhyn policia

AKTUALITET


Aksi rrugor Skrapar-Berat është bllokuar për të paktën 6 orë nga mjetet e tonazhit të rëndë, të cilat ishin nisur drejt malit të Tomorrit. Mjetet u përkasin personave dhe kompanive që shfrytëzojnë guroret në këtë mal. Paraditen e së martës, disa makineri të rënda janë nisur për t`u ngarkuar me gur në Tomorr, por janë ndaluar nga Policia e Shtetit. Për pasojë, pronarët e këtyre mjeteve që shfrytëzojnë malin për nxjerrjen e pllakave të gurit, kanë bllokuar rrugën me faroma të rënda.

Ky akt ka irrituar qytetarët e shumtë, që shfrytëzojnë rrugën Skrapar-Berat dhe anasjelltas. Është dashur ndërhyrja e policisë për hapjen e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit të mjeteve. Ndërkohë, shfrytëzuesit e guroreve janë shprehur për mediat lokale në Berat, se kanë ‘kontaktuar me drejtuesin e policisë’, që sipas tyre, u ishte premtuar se do të ‘fillonin të punonin pas datës 25’, sapo të përfundonte pelegrinazhi në Tomorr.

Shfrytëzimi i guroreve në Berat nisi fill pas vendimit të Gjykatës Adminisrtative të Apelit, e cila rrëzoi një vendim të Këshillit të Ministrave për zgjerimin e hartës së zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar në Tomorr. Por pavarësisht këtij vendimi të gjykatës, qeveria ka shprehur vendosmërinë për të mos lejuar shkatërrimin e këtij parku me vlera të mëdha natyrore dhe religjioze.



Skip to toolbar