Truri në Shkodër, droga në Europë. Kapet grupi kriminal

AKTUALITET


Një aksion ndërkombëtar për goditjen e trafikut të drogës, i koordinuar nga EUROPOL, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Policinë Shqiptare, kanë bërë të mundur shkatërrimin e një grupi të strukturuar, që dyshohet se ka transportuar mbi 1.6 ton kokainë në vendet e BE-së. Sipas një komunikate zyrtare shpërndarë nga Policia e Shtetit, mësohet se gjatë operacionit të koduar “Goldfinger”, është arrestuar në banesën e tij në Shkodër, këtë të martë, shtetasi me inicialet A.B., 51 vjeç, që sipas Policisë, ka qenë koka e grupit kriminal.

Gjatë operacionit, në vendin tonë janë sekuestruar dhe shuma të konsiderueshme parash dhe biznese: “U sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro”. Gjithashtu, në vendin tonë është shpallur në kërkim dhe një tjetër person, emri i të cilit, për arsye hetimi nuk bëhet i ditur. Ndërkohë, gjatë këtij operacioni, i shtrirë njëkohësisht në disa shtete të Bashkimit Europian si: Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjik, Holandë dhe Slloveni, janë arrestuar dhe 42 persona të tjerë, teksa nuk jepen detaje se ndër të arrestuarit ka persona shqiptarë apo jo.

Hetimi është nisur fillimisht nga autoritetet daneze, të cilat kanë qenë dhe vendi lider i tij, ndërsa në vendin tonë, për llogari të këtij aksioni, janë ushtruar kontrolle në disa qytete të vendit. Gjatë operacionit në të gjitha vendet ku ai ka qenë i shtrirë, kanë sekuestruar 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/455825168581456/?epa=SEARCH_BOX

Ndërkohë, operacionin e Europol e ka përshëndetur dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. “Goldfinger, operacioni i koordinuar nga EUROPOL, ku merr pjesë Policia dhe Prokuroria Shqiptare, godet fort në Europë dhe në Shqipëri. Pjesë e goditjes janë shumë pjestarë të krimit të organizuar dhe sasi të mëdha asetesh kriminale”, shkruan në një postim në Twitter ministri Lleshaj.



Skip to toolbar