Shkencëtari grek: Tërmeti tjetër, pas 300 vitesh

AKTUALITET


Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima dhe dëme të pallogaritshme në Shqipëri, konsiderohet si i pazakonte nga profesori grek, Efthymios Lekkas.

Sipas tij, me lëkundjen e 21 shtatorit u mendua se toka kishte gjetur qetësi, por thekson se gjasat për një tërmet të tretë të fuqishëm janë shumë të pakta, pasi energjia e çliruar nga paslëkundjet ka qenë normale. Sipas tij, një tërmet tjetër aty ku ra në 26 nëntor tashmë mund të pritet vetëm pas 300 vitesh.

Efthymios Lekkas është kryetar i Organizimit të Planifikimit dhe Mbrojtjes Antisizmike, profesor i Gjeologjisë së Aplikuar Dinamiko-Tektonike & Menaxhimit të Fatkeqësive në Athinë dhe gjeolog. Ai ka dhënë një intervistë për gazetën Panorama ku thekson se pas tërmetit të parë dhe të dytë, energjia sizmike është çliruar dhe s’e nuk ka gjasa të ketë një tërmet të tretë me përmasa të mëdha.

“Duke parë se lëkundjet passizmike po zhvillohen në mënyrë normale, kjo na çon në gjykimin se do t’i shpëtojmë një tërmeti të tretë të fortë.

Në të vërtetë bëhet fjalë për një fenomen të pazakontë, sepse pas një tërmeti të madh siç ishte ai i 21 shtatorit, zakonisht kemi shuarje të lëkundjeve. Tërmeti i 26 nëntorit ishte një surprizë e madhe për ne, u habitëm nga ky fenomen që ndodhi, sepse gjykonim se energjia sizmike ishte çliruar me tërmetin e 21 shtatorit. Por këtu patëm një përjashtim. Natyra na gënjeu në këtë rast, sepse nëntoka e kësaj zone rezultoi të përmbante energji shumë të mëdha dhe si rezultat patëm tërmetin e 26 nëntorit, një tërmet katastrofik.

Do të doja të theksoja se pas një tërmeti 6.4, i cili është një tërmet shumë i madh dhe duke marrë parasysh dhe karakteristikat e këtij tërmeti, afërsinë nga epiqendra, do të thosha se ndërtesat reaguan në mënyrë të kënaqshme. Kemi ndarë dy zona: zona e parë është Thumana dhe fshatrat përreth, ku kishim rreth 15 shembje godinash. Por bazuar në mënyrën se si ishin ndërtuar godinat, duhet të kishim shumëfishin e godinave të shembura. Ndoshta u zhvilluan disa fenomene, siç janë ulja e valës goditëse në atë zonë. Zona e dytë është Durrësi. Durrësi ishte shumë afër epiqendrës, ishte mbi çarjen tektonike sizmike dhe një pjesë e Durrësit ishte ndërtuar në toka të dobëta për ndërtim. Bazuar në këto të dhëna, them se rënia e godinave ishte e vogël në numër bazuar në këtë fuqi dhe në këto kushte ndërtimi. Gjithashtu kemi vëzhguar disa karakteristika të dëmeve që kanë pësuar godinat dhe atyre duhet t’u kushtohet shumë vëmendje”, është shprehur shkencëtari i cili i pyetur se kur mund të ketë një tërmet tjetër të fuqishëm thekson se kjo mund të ndodhë pas 200 apo 300 vitesh.

“Nga analiza që i bëjmë kësaj çarjeje tektonike në këtë zonë, përsëritja e këtij tërmeti mund të vijë pas 200, 300 apo 1 mijë vjetësh. Por nuk përjashtohet mundësia që të kemi një tërmet edhe nga një çarje tjetër tektonike fqinje dhe jo nga e njëjta”, thekson ai.



Skip to toolbar