Vetëm brenda javës së fundit presidenti Meta në luftën që i ka shpallur maxhorancës përmes dekreteve ka kthyer mbrapsht në Kuvend 5 projektligje të hartuara nga qeveria dhe të miratuara nga Kuvendi duke u përpjekur të bllokojë qeverinë në nismat e saj.
Konkretisht Ilir Meta, ka vendosur të rikthejë për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Penal, ligjin për koncesionet dhe PPP-të, ligji për miratimin e kontratës për rrugën Milot-Balldren, ligjin për miratimin e kontratës për rrugën Orikum-Llogara dhe ligjin për Akademinë e Shkencave.
Por që të gjitha këto dekrete të Metës do të rrëzohen shumë shpejt në Kuvend sapo të nisë punimet në shtator. Madje për të mos u vonuar në seancën e fundit të parlamentit janë miratuar disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit të cilat përgjysmojnë afatin për të rrëzuar një dekret presidencial. Nga 8 javë që ishte parashikuar në rregulloren e vjetër, në nenin e ndryshuar dhe të miratuar në seancën e fundit parlamentit i duhet vetëm 4 javë për ta shqyrtuar në komision dekretin dhe për ta rrëzuar më pas në seancë parlamentare, raporton Shqiptarja.com
Në seancën e fundit të sesionit të kaluar, 19 korrik 2019, u miratuan me 106 vota pro ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Mes 75 neneve të ndryshuara u amendua edhe neni 86, për shqyrtimin e dekreteve të kreut të shtetit për kthimin e ligjeve. Varianti i ri i miratuar parashikon që dekreti i Presidentit për rishqyrtim ligji futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit dhe se komisioni përgjegjës përgatit raportin për seancën plenare me propozimin për pranimin ose rrëzimin e dekretit të Presidentit brenda 4 javëve nga data e depozitimit të tij në Kuvend. Ndërkaq, varianti i mëparshëm parashikonte që komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Pra, ndryshimi i miratuar përgjysmon afatin brenda të cilit komisioni përgjegjës duhet të paraqesë në Kuvend raportin për miratimin apo rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit. Edhe njëherë konfirmohet ajo që realstory ka shkruar më herët se dekretet e presidentit janë nul dhe se ai i përdor ato vetëm për protagonizëm politik, pasi nuk arrin asgjë me to. Kjo për faktin se dekretet e tij rrëzohen në seancë nga maxhoranca vetëm me fuqinë e kartonit përmes votave që i ka të garantuara.