Shoku i fëmijërisë e shiti te hasmi

AKTUALITET


Fillimisht u raportua se policia kishte identifikuar autorin e vrasjes së 34-vjeçarit Eri Zefi, dhe se është vënë në kërkim të Mikel (Gjovalin) Alia, i cili njihet si shoku i ngushtë i viktimës. Por hetimet që po kryhen nga prokuroria e Lezhës sqarojnë se Mikel (Gjovalin) Alia, shoku i ngushtë i fëmijërisë së Eri Zefit e ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin Eri Zefi duke u paguar nga dy vrasësit të cilët ende janë të paidentifikuar nga policia dhe dyshohet se janë arratisur në drejtim të Kosovës. Eri Zefi që prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme për shkak se vëllai i tij Ndue Zefi vrau fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal. Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme. Por gjaksit e tij, nuk mund t’i afroheshin shumë pranë banesës me qëllim ekzekutimin e Zefit, pasi shumë shpejt do të binin në sy dhe do vinin veten e tyre në rrezik.

Atëherë ata kanë filluar të venë në jetë një plan të sofistikuar duke përpunuar dhe paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t’ia çonte në pritë dy të dy vrasësve.

Mendohet se për një shumë parash ende të papërcaktuar, Alia ka pranuar të shesë shokun e tij të ngushtë, duke e nxjerrë nga shtëpia.

Ata kanë udhëtuar në mesnatë në autostradën Durrës-Kukës, dhe sapo kanë mbërritur në fshatin Zallë Xhuxhë, kanë dalë nga rruga duke hyrë rreth 50 metra në një teren malor, ku Mikel Alia, pretendon se aty do vidhnin drogën. Por në fakt ai teren ishte caktuar nga hasmit, për të ekzekutuar njeherë e mirë Eri Zefin, vëllain e Ndue Zefit. Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit, raporton Shqiptarja.com.

Më pas ata e kanë qëlluar me plot 6 plumba, katër në kokë dhe dy në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Dy autorët së bashku me bashkëpunëtorin e tyre, mikun e Zefit janë larguar mes errësirës së dendur. Trupi i pajetë është gjendur nga fshatarët e zonës i mbuluar në gjak, të cilët kanë njoftuar policinë.

Prokuroria dhe policia e Lezhës, tashmë kanë identifikuar njërin nga autorët e kësaj vrasje i cili është Mikel Alia, i cili ka shërbyer për ta nxjerrë në pritë Zefin. Momentalisht Alia është shpallur në kërkim. Ndërsa dy personat që qëlluan me armë Zefin, dyshohet se janë larguar në drejtim të Kosovës.



Skip to toolbar