“Punonjësi i së ardhmes”, obez, me sy të kuq dhe i kërrusur


Dhimbjet e qafës, shpinës, mesit, mbipesha, sytë e kuq e të thatë janë vetëm disa prej simptomave që punonjësit e zyrave që punojnë të paktën 8 orë ulur në karrige para një kompjuteri kanë më së shumti.

Sipas një studimi nga një kompani britanike “Fellowers” arriti në përfundimin se punonjësi i së ardhmes do të jetë mbipeshë, me sy të kuq, syze, me këmbë të fryra dhe i kërrusur. Kompania krijoi dhe një manekin për të paraqitur imazhin se si do të duken njerëzit që punojnë ulur në të ardhmen dhe sigurisht që pamja nuk ishte aspak e bukur.


Hulumtuesit e këtij studimi thanë se kanë për qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për të zgjidhur këtë problem sa janë në kohë dhe të drejtohen drejt një jete të shëndetshme.

“Raporti tregon se punonjësit duhet urgjentisht të bëjnë diçka tani për të zgjidhur problemin e vendeve jo të shëndetshme të punës. Nëse nuk bëjmë ndryshime rrënjësore në jetën tonë të punës, duke nisur nga ato të lëvizjes, sjelljes apo pushimeve të marra rregullisht, zyra me shumë gjasë, do të na sëmurë. Ne kalojmë orë të tëra në tryezë pa lëvizur dhe trupat për rrjedhojë fillojnë të atrofizohen. Kjo jo vetëm që përshpejton problemet muskulore dhe dobësinë e këmbëve, por rrit rrezikun e trombozës, problemeve kardiovaskulare dhe madje edhe të tumoreve”, thuhet nga ekspertët e studimit.

Studimi bazohet në intervistat e realizuara me më shumë se 3 mijë punonjës zyrash në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe Francë.




Skip to toolbar