Kryekomisar Bajram Hajdarmataj ndodhej në krye të detyrës në Konvaleshencën e Durrësit natën e 26 nëntorit kur tërmeti rrëzoi ndërtesën dhe ai ndërroi jetë nën rrënoja. Përmes një deklarate Shoqata e punonjësve të Policisë në lirim kërkojnë nga policia e shtetit që të zbardhet e plotë vdekja e kryekomisarit. Ata i janë drejtuar policisë me një seri kërkesash përmes të cilave synojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe cilët janë përgjegjësit për sigurinë e ndërtesës së Konvaleshencës në Durrës.
Shoqata kërkon nga policia të verifikojë nëse është kontrolluar godina e Konvaleshencës pas tërmetit të 21 shtatorit dhe kush janë personat përgjegjës që nuk morën masat për mbylljen e godinës.
“Kush dha urdhër që dhe pas konstatimeve që godina kishte dëmtime serioze të vazhdonin aktivitetet e punonjësve të Policisë së Shtetit?”, shkruan në deklaratën e tyre Shoqata e policëve në Lirim. Sipas tyre Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë detyrimin të reagojnë menjëherë me përgjigje serioze dhe profesionale për të gjitha pyetjet e shtruara më sipër.
Më herët gjatë ditës, policia njoftoi se ka vënë në pranga 9 persona për dosjen “Tërmeti” dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Mes të arrestuarve janë edhe Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
Si dhe Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Pra policia ka vënë në pranga 2 persona që akuzohen drejtëpërdrejtë për vdekjen e kryekomisar Bajram Hajdarmataj.