Policia ka kapur me radar një automjet që ecte me një shpejtësi të frikshme në aksin Sauk-TEG. “Piloti” në fjalë i jepte automjetit me 221 kilometra në orë duke përbërë rrezik për të shkaktuar aksidente me pasojë vdekje.
Policia e shtetit ka publikuar pamjet nga kontrolli me radar që ka kryer në rrugën Sauk-TEG, ndërsa u bën apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit për një destinacion të sigurt.
“Radari dhe polici të shpëtojnë jetën. Vijon të ndodhë në aksin rrugor Sauk – Teg. 221 km/h në aksin Sauk – Teg, shpjetësi e frikshme që rrezikon seriozisht jo vetëm jetën e drejtuesit të mjetit, por edhe rrezik potencial për jetën e përdoruesve të rrugës.
Stop shpejtësisë! Respekto rregullat e qarkullimit për të pasur një destinacion të sigurt.
Mos shpejto të arrish aksidentin!”, njofton policia e shtetit. Në disa raste shpejtësia në këtë aks rrugor ka shkaktuar aksidente tragjike me pasojë vdekjen e drejtuesve të automjeteve dhe të pasagjerëve.