Shpërthen prapë Meta: E ka me Voltanën apo me KQZ?

AKTUALITET


Ndonëse pritej që Presidenti i Republikës të dënonte aktet e dhunës dhe futjen me forcë nga militantë të opozitës në KZAZ-në e Tropojës, kreu i shtetit ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, duke i bërë thirrje KQZ-së që të mos provokojë tensione artificiale.

“Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë. Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shkruan zëdhënësi i Ilir Metës.

Kjo deklaratë ka ardhur fill pas konferencës për shtyp që mbajti zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, e cila i quajti të paligjshme veprimet e disa bashkive të drejtuar nga kryetar të opozitës, që kanë kërkuar lirimin e ambienteve publike, ku janë vendosur Komizionet Zonalet të Administrimit të Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, duke cituar më të drejtën ligjin themelor që rregullon funksionet e pushtetit lokal.

Megjithatë, si kreu i shtetit dhe që mbron unitetin kombëtar, Meta i jep kurajo opozitës në njëfarë mënyre, që dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve, i cilësuar i jashtëligjshëm nga Qeveria dhe i panjohur nga KQZ, të gjejë zbatim në rrugë të tjera, krejtësisht antiligjore nëpërmjet ndërhyrjes me dhunë dhe prishjes së materialeve zgjedhore. Tani një pyetje duhet ti përgjigjet Presidenti: dhuna e Tropojës apo KQZ është veprim destabilizues i forcave të huaja që nuk e duan vendin?



Skip to toolbar