Ristani i bën dalje Bashës: “S’jam marrë me paratë e PD. Nuk di asgjë”. (Dhe thotë të vërtetën)

AKTUALITET


Ish sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani është njohur me akuzën e Prokurorisë ndërsa për mediat tha se ai s’ka asnjë lidhje me hetimet për lobimin me paratë ruse të PD-së në SHBA.

Pasi doli nga prokuroria Ristani tha për mediat se ai nuk ka pasur asnjë dijeni për financimin e PD-së dhe se nuk ka asnjë dokument apo bisedë që e lidh atë me këtë hetim.


“Nuk ka asnjë dokumentacion që unë të kem lidhje me pagesa. Unë nuk jam marrë kurrë me paratë e PD-së. Nuk kam pasur as kuriozitet që të dij për këtë gjë dhe nuk kam pasur asnjë dijeni. Akuza është e nxitur dhe e organizuar politikisht.

Unë dhashë deklaratën time dhe përsëris unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori. S’ka prova. S’ka asnjë dokument. Fakti që u paraqita është teknikalitet”, tha Ristani ndërsa bëri me dije se ishte njohur me akuzën ndaj tij.

Prokuroria akuzon Ristanin, Bashën dhe financierin Ilir Dervishi se kanë kryer veprën penale për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.

Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosisë nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

Kryedemokrati Lulzim Basha refuzoi të hënën që të paraqitej në prokurorinë e Tiranës duke e cilësuar fletë thirrjen në kundërshtim me ligjin. Prokuroria i ka dhënë afat deri në datën 20 qershor për t’u paraqitur, ndryshe do të përdorë forcë. Fillimisht u duk sikur Ristani do të ndiqte shembullin e Bashës. Por njeriu që i dha atij bashkinë e Tiranës në tavolinë në 2011, dhe Basha ia “shpërbleu” duke e lënë jashtë Kuvendit duket ka dashur të japë një mesazh: që ai vërtet nuk di asgjë për këtë cështje. Ai që di, është vetëm Lulzim Basha. Jo vetëm se ka vënë firmën në letrën që sot e përball me drejtësinë.




Skip to toolbar