Karburanti në flakë, panik në Tiranë

AKTUALITET


Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në orët e mbrëmjes së të enjtes në një pikë të tregtimit të karburantit në Tiranë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur sapo kalon Shkollën Teknologjike, ku shkak mendohet se ka qenë një defekt në një bombol gazi që shërbente për furnizimin e makinave, duke sjellë kështu shpërthimin e saj.

Policia e kryeqytetit tha se ngjarja ndodhi rreth orës 18:46 në rrugën “Llazi Miho”, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve ku si pasojë ka veç dëme materiale.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset kanë bërë të mundur fikjen e plotë të zjarrit, duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes së mëtejshëm të tij.

Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

“Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Grupi hetimor në vendngjarje po heton për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaroi policia.

Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët, por fatmirësisht nuk është raportuar ndonjë i lënduar as nga punonjësit e pikës së tregtimit të karburantit, të cilët kanë reaguar shpejt pas incidentit me bombolën e gazit.



Skip to toolbar