Pronarja e argjendarisë që mbeti e plagosur nga shpërthimi në dyqanin e saj në zonën e bllokut në Tiranë ka humbur jetën. 43 vjeçarja Alma Pirra mori djegie të rënda në trup dhe ka qenë e shtruar në repartin e plastikës në QSUT, por nga burime të ndryshme mësohet se ajo ka humbur jetën për shkak të plagëve.
Një shpërthim i fuqishëm i një bombole me oksigjen që shërben për përpunimin e floririt, ndodhi në një argjendari në zonën e ish-bllokut në Tiranë, dy javë më parë ku mbetën të plagosur pesë persona.
Mes të plagosurve ishin edhe burrë e grua, Sokol dhe Alma Pirra, pronarë të argjendarisë, një vajzë 18-vjeçare, Eneda Nura, punonjëse në argjendari dhe një djalë Ardanoel Serani.
Nga shpërthimi u shënuan dëme të shumta materiale, jo vetëm në argjendari, por edhe në një dyqan me tullumbace për organizim eventesh që ndodhet pranë argjendarisë. Sipas hetimeve, policia tha se shpërtheu një nga dy bombolat me hidrogjen që kishte në argjendari.