Ish-kryebashkiaku i Përmetit tradhton Bashën, liron zyrën paqësisht

AKTUALITET


Ish-kreu i bashkisë së Përmetit Niko Shupuli, ka vepruar krejt ndryshe nga skenari i përgatitur nga lidershipi i PD-së, në Devoll e Kavajë, duke e liruar zyrën për pasardhësin socialist në mënyrë paqësore duke bërë një gjest të lartë qytetarie. Krejt ndryshe nga udhëzimet e Bashës, Shupuli jo vetëm që është distancuar nga përpjekja për të krijuar kaos e përplasje, por ka bërë të qartë se ai nuk mund t’i sakrifikojë mbështetësit e tij për një karrige.

Përmes një shënimi në faqen e tij ne Facebook, ai përcjell një mesazh ku sqaron se përse nuk kandidoi si i pavarur, ndërsa lë të kuptohet se ai ka qenë kundër vendimit të PD për të bojkotuar zgjedhjet megjithëse e respektoi këtë vendim.


“Opozita e bashkuar me vendime të organeve të saj drejtuese e bojkotoi 30 qershorin (pavarësisht opinionit tim personal nëse duhet të merrte pjesë apo jo ). Unë nuk mund të bëhesha pjesë e një farse duke i dhënë legjitimitet një procesi ku qeveria do të bënte çdo gjë për të garantuar fitoren e përfaqësuesit të saj. Nuk mund të sakrifikoja për një karrige kryetari bashkie mbështetësit e mi duke i bërë ata tabelë presionesh, hakmarrje e privimesh personale apo familjare për mbështetjen që ata do të më jepnin në rast kandidimi si i pavarur”, shkruan Shupuli duke thënë se nëse kandidonte si i pavarur do të sulmohej nga PD.

 Ai gjithashtu shkruan se ka bashkëpunuar me kryeministrin Rama dhe qeverinë për të mirën e Përmetit.

“U përpoqa të krijoj modelin e një kryetari normal, që është një qytetar si gjithë të tjerët e përkohësisht në detyrën e Kryetarit të Bashkisë.

Nuk kam hezituar apo paragjykuar por kam bashkëpunuar intesivisht me KM, qeverinë, donatorë vendas e të huaj, me këdo pa asnjë dallim që kishte në dorë e mundësi financimi për realizimin e projekteve për zhvillimin e Përmetit”, shkruan ish kryebashkiaku demokrat i Përmetit.

Më ketë deklaratë Shupuli nxjerr blof ish deputetin Tritan Shehu i cili pak më herët gjatë ditës bëri një deklaratë ku shkruan se “Përmeti njeh për Kryetar vetëm Z.Niko Shupuli. Askush nuk mund t’i zëvendësojë këta njerëz të nderuar, drejtues të përkushtuar në postet e tyre të ligjshme nëpërmjet një farse elektorale, ku morën pjesë veçse një grusht militantësh si dhe të tjerë të detyruar, të cilët patën kurajon t’i përgjigjen presionit me qindra fletë votimi të pa vlefshme. Shumë shpejt “uzurpuesit” do të detyrohen të braktisin në panik “karriget” e tyre të rrëmbyera”.

Me këtë qëndrim të tij, Shupuli tradhtoi udhëzimet e dhëna nga lidershpi i PD-së, për bllokimin e zyrave të bashkive dhe mos lejimin e të zgjedhurve të rinj vendorë të nisin mandatin e tyre të fituar në zgjedhjet e 30 qershorit.




Skip to toolbar