Shpëtimi i Alvinit, Conte: Për punë orësh bashkohet me të atin

AKTUALITET


Shpëtimi i Alvin Berishës nga kampi në Siri Al-Haul ka sjellë dhe reagimin e kryeministrit italian Giuseppe Conte, i cili ka ndjekur ngjarjen hap pas hapi së bashku me kryeministrin Rama. Conte tha se Alvini do të bashkohet gjatë orëve në vazhdim me babin dhe familjarët e tjerë në Itali. Conte tha se shpëtimi i tij ndodhi si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve italiane, shqiptare dhe organizatave humanitare.

“Kthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato histori që ju mbush zemrën me lumturi. Fëmija shqiptar, për vite me radhë në një kamp refugjatësh në Siri, në orët e ardhshme më në fund mund të përqafohet nga babai i tij i cili po e pret në Itali. Kjo është arsyeja pse unë shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë autoritetet italiane dhe shqiptare, për organizatat humanitare, që kanë bashkëpunuar për këtë operacion kompleks, në një zonë aq të vështirë sa ai sirian. Faleminderit edhe për ato media që kthyen në qendër të vëmendjes historinë e Alvinit të vogël.

Qeveria italiane ka bërë gjithçka që është e mundur për lirimin e tij. Unë personalisht ndoqa këtë ngjarje, i informuar vazhdimisht dhe në kontakt me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm i diplomacisë por mbi të gjitha i bashkëpunimit ndërkombëtar, falë rolit të çmuar të luajtur nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe dhe ndërhyrja vendimtare e policisë speciale dhe departamenteve të karabinierëve.

Më e keqja për Alvin tani është pas tij, në pak orë ai do të jetë i lirë. I lirë të jetë në gjendje të jetojë fëmijërinë e tij, të jetë në gjendje të luajë përsëri, të imagjinojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Pa kufizime dhe larg bombave, luftërave, fanatizmit”, shkruan Conte.



Skip to toolbar