Me rastin e 28 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut maqedonas, Stevo Pendarovski. Meta thekson marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, duke kërkuar që të vijojnë të forcohen edhe më shumë. Një ndërsa arsyet më të mëdha të forcimit të marrëdhënieve janë edhe komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Kreu i Shtetit vlerëson kontributin jetik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa thotë se përmirësimi i marrëdhënieve ndër etnike kanë ndikim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.”- shkruan ndër të tjera Meta