Tërmeti, Maqedonia jep 100 mijë euro për Shqipërinë

Vendet fqinje të Shqipërisë janë solidarizuar pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter. Maqedonia do ndihmojë Shqipërinë me 100 mijë euro si dhe ka dërguar 30 ekipe profesionale që do të ndihmojnë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe dhënien e ndihmës së parë për qytetarët.

Më herët edhe qeveria e Kosovës akordoi një shumë prej 500 mijë euro për të ndihmuar qytetarët shqiptarë pas tragjedisë së tërmetit.

Tërmeti i fortë që shkundi Shqipërinë ka sjellë solidarizimin edhe të partnerëve ndërkombëtarë si SHBA, BE, Gjermania, Franca, Italia apo Greqia, duke dërguar ndihma dhe ekipe me mjete të posaçme për të ndihmuar qytetarët shqiptarë.

Meta, letër Pendarovskit: Shqiptarët, kontribut jetik në rajon

Me rastin e 28 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut maqedonas, Stevo Pendarovski. Meta thekson marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, duke kërkuar që të vijojnë të forcohen edhe më shumë. Një ndërsa arsyet më të mëdha të forcimit të marrëdhënieve janë edhe komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Kreu i Shtetit vlerëson kontributin jetik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa thotë se përmirësimi i marrëdhënieve ndër etnike kanë ndikim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.”- shkruan ndër të tjera Meta

Lexoni letrën e plotë

Analiza e Washtington Post: Ballkani po tradhtohet nga BE

Washington Post i ka kushtuar një artikull të veçantë marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe cështjes së integrimit, duke konkluduar se BE duhet të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në një analizë të gjatë Washington Post thotë se BE ka 16 vite që i premton Ballkanit, por asgjë nuk është bërë deri më sot. “Përgjatë 16 viteve të fundit, Brukseli i ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë edhe rajoni më vulnerabël i Kontinentit të vjetër, se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Euorpian, por gjatë vitit të fundit, Brukseli ka kryer një rrokullisje të madhe, duke vënë dyshim idenë e zgjerimit”, thuhet në shkrimin me titullin “Si Bashkimi Evropian po e tradhton Ballkanin Perëndimor”. Sipas shkrimit të Jasmin Mujanovic, politiolog i specializuar në  politikën e Europës Juglindore, tema e zgjerimit është zhdukur nga axhenda e liderëve të BE, ndërsa kujton edhe rrezikun rus, kinez dhe turk në Ballkan.

“Ndërsa shtetet anëtare hyjnë në zgjedhjet e Parlamentit Europian, Komisioni Europian pa asnjë pengesë e ka hedhur idenë e vitit 2025 si data e ardhshme më e hershme për një raund të ri zgjerimi. Por në Paris, Emmanuel Macron është i qartë: Nuk do të ketë zgjerim, të paktën jo në të ardhmen e parashikueshme. Edhe në Berlin, zgjerimi është bërë politikisht një temë toksike”, vazhdon analiza.

Por Washington Post thotë se BE ende mund të ndryshojë kursin dhe këtë mund ta bëjë duke hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Ajo duhet të fillojë formalisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të paktën të lejojë statusin e kandidatit të Bosnjes. Kjo do të stabilizojë njëkohësisht anijen.

Detyra e madhe, megjithatë, është krijimi i një plani afatgjatë të qëndrueshëm për rajonin, i cili do të sjellë jo vetëm një angazhim të besueshëm ndaj normave dhe praktikave liberale-demokratike, por edhe një pengesë të fuqishme ndaj pëlqyrave të Rusisë”, thuhet në shkrim.

E për këtë, Washington Post analizon që nëse BE rrëshqet nga komuniteti euro-atlantik, liderët europianë do të fajësojnë vetëm veten e tyre. Nëse BE nuk zgjerohet, politika e Ballkanit shumë shpejt do të bëhet e dëshpëruar dhe e rrezikshme, sidomos për vetë Bashkimin Europian.

Papa Françesku zhvillon një vizitë shumë pranë Shqipërisë

Të dielën më 5 maj, Papa Françesku do të zhvillojë një vizitë shumë pranë Shqipërisë, pikërisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.

Reuters shkruan se qëllimi i udhëtimit tre-ditor të Papa Frençeskut është përmirësimi i marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishtërimit nga Lindja dhe Perëndimi që u ndanë në vitin 1054.

Por bëhet e ditur se udhëheqësit ortodoksë bullgarë kanë urdhëruar që klerikët të mos marrin pjesë në lutje me Papën, duke thënë se ligjet e tyre nuk e lejojnë këtë. Por, Papa do të takohet me Patriarkun Ortodoks Neophyte dhe do të vizitojë një katedrale ortodokse në Sofje.

Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar ditë më parë se vizita e e kreut të Kishës Katolike Romake në Shkup, qytetin e lindjes së Nënë Terezës së Shenjtë, është historike si dhe mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Shkëndija drejt titullit të dytë radhazi në Maqedoni (video)

Shkëndija e Tetovës është duke shkruar historinë në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani, po shkon drejt kurorizmit të titullit të dytë radhazi në shtetin fqinj.

Në 29 javë skuadra “kuqezi” ka fituar 20 takime duke mbajtur vendin e parë në renditje me 66 pikë, teksa lë pas ekipin kryeqytetas, Vardarin, me 12 pikë më pak.

Fitorja e fundit në kampionat e Shkëndijës erdhi të shtunën kundër Makedoniia Gj.P, me ndeshjen që përfundoi me rezultatin 4-2.

Përveç golashënuesve Radeski, Imeri e Musliu, vlen të përmendet performansa e portierit Bekim Rexhepi, që në të paktën tre raste ka bërë pritje spektakolare, duke shpëtuar gola të sigurtë.

Pas barazimit të xhiros së kaluar Shkëndija kthehet në rrugën e fitores dhe tashmë çon në shtatë numrin e takimeve të njëpasnjëshme pa njohur disfatën.

Marjan Radeski në minutat 8 dhe 31, si dhe Omar Imeri në minutën e 40-të realizuan për epërsi 3:0 në pjesën e parë.

Në vazhdim miqtë ngushtuan rezultatin në 3:1 me anë të Tanturovskit në minutën e 59-të, ndërsa pasi Lukas u përjashtua me të kuq në të 62-ën kuqezinjtë me qetësi menaxhuan lojën deri në fund.

Musliu tre minuta para fundit të kohës së rregullt shënoi për 4:1, ndërsa në kohën shtesë Karvaljo realizoi për rezultat përfundimtar 4:2.

Maqedonia Veriut në heshtje zgjedhore, nesër votohet për Presidentin

Maqedonia e Veriut do të mbajë ditën e diel më 21 prill raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri. Në garë marrin pjesë 3 kandidatë, mes tyre edhe një shqiptar.

Stevo Pendarovski është kandidati i koalicionit qeveritar, Gordana Siljanovska Davkova është kandidatja e mbështetur nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe shqiptari Blerim Reka garon si kandidati i pavarur.

Raundi i parë për zgjedhjet presidenciale është caktuar më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Të drejtën e votës do ta ushtrojnë 1 808 131 qytetarët, ndërsa 1 782 qytetarë të tjerë do të votojnë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia në vitin 1991.

Transportonin 45 kg drogë, arrestohet çifti shqiptar

Policia kufitare në pikën doganore “Bogorodica” në Maqedoninë e Veriut ka arrestuar një çift shqiptarësh pasi u kapën me lëngë narkotike në makinën e tyre.

Çifti do të kalonte kufirin, por gjatë kontrollit iu gjetën 45 kg lëndë narkotike e fshehur në dyshemenë e mjetit që po udhëtonin. Lënda ishte e ndarë në 49 pako e mbështjellë me letër të gjelbër.

Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale O.L dhe A.J. nga Shqipëria.

Plagoset pasi tentoi të çaj gardhin e ushtrisë

“U qëllua dy herë në ajër për ta paralajmëruar, por nuk ndaloi, në këtë rast u qëllua në këmbën e tij.” – këto ishin fjalët e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut në lidhje me një person që tentoi të futej në repartin ushtarak në Shkup.

Ministria nuk bëri të ditur identitetin e personit apo arsyet që e çuan të ndërmerrni këtë veprim, por tha se ishte shtruar në spital ku po merr dhe mjekimin e nevojshëm.

Skip to toolbar