Sarjo Gjikola, i cili ndodhej në Angli prej 6 muajsh si emigrant, ktheu banesën e tij në një ‘fermë të vogël kanabisi”. Zbulimi dhe arrestimi i tij u bë më 14 shtator nga policia, ndërsa gjykata vendosi ta dënonte me 27 muaj burg.
23-vjeçari shqiptar kishte kthyer disa dhoma të shtëpisë në zonë për mbjelljen dhe rritjen e rrënjëve të kanabisit. Dhomat ishin përshtatur me sisteme ngrohje dhe ndriçimi për rritjen e kanabisit, ndërsa u zbulua se edhe energjia elektrike vidhej nga ai. Gjatë kontrollit të banesës policia sekuestroi 3 dokumente identiteti rumunë në tre emra të ndryshëm dhe dy leje drejtimi rumunë në dy emra të ndryshëm, por të gjitha mbanin foton e 23-vjeçarit.
Para gjykatës, 23-vjeçari tha se ishte i detyruar të bënte këtë punë pasi kishte borxhe për të larë në Shqipëri dhe duhet të ndihmonte familjen.