Pas deklaratës së ambasadorit italian Cutillo për deklaratën e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, vetëm kur ka marrëveshje, ka ardhur edhe reagimi më i fortë nga grupi CDU/CSU në Gjermani, të cilët shprehen se Kushtetuta nuk duhet të vihet në diskutim nga asnjë palë. Josip Juratoviç (SPD) Kryetar i Komisionit Parlamentar për Europën Juglindore në Bundestag, ku ky i fundit ka dënuar bojkotin parlamentar nga ana e opozitës. Kryetari i Grupit Socialist vlerësoi pozicionin zyrtar të qeverisë gjermane të bërë publik përmes Ministrit për Evropën Michael Roth në mbështetje të fillimit të bisedimeve. “Para disa ditësh pata një takim me Komisionerin për Zgjerim Johanes Hahn dhe bashkëndava me të bindjen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë fillimin e bisedimeve për anëtarësim. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe dua ta them shumë qartë se bojkoti i parlamentit është kundër parimeve të demokracisë”, u shpreh Juratovic, i cili njëkohësisht është njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor. Ai deklaroi se lufta politike duhet të zhvillohet vetëm në Parlament. “Unë jam i krishterë dhe për mua respekti ndaj Parlamentit është po aq i shenjtë sa respekti ndaj Kishës. Ata që bëjnë këto veprime dhe protesta të dhunshme nuk e duan Shqipërinë në BE. E kam thënë edhe për raste të ngjashme në vende të tjera të Ballkanit, një parti mund të jetë kundër partisë që është në qeveri, por nuk mund të jetë kundër interesit të vet kombëtar”, tha Juratoviç.
Ndërkohë Mark Hauptmann, thotë se nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe se respektimi i ligjeve, rregullave dhe Kushtetutës nuk duhet të vihet në dyshim nga asnjë palë. “Partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje, por askush nuk është i detyruar. Kjo është demokracia”, tha ai. Por nuk është e drejtë, sipas tij, të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve nga aktorë të jashtëm në një shtet të pavarur dhe demokratik. Këto deklarata u bënë gjatë takimeve me një delegacion të Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga Taulant Balla. Në takimin me Nikolas Lobel dhe Axel Müller u diskutua mbi procedurat që do të ndjekë Bundestagu gjerman për shqyrtimin e vendimit për fillimin e bisedimeve. Muller vlerësoi se qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut kanë plotësuar detyrat e lëna nga qershori i vitit të shkuar në Këshillin Europian. “Ka një vlerësim pozitiv edhe këtu në Bundestag lidhur me fillimin e bisedimeve gjatë 2019”, tha ai.